E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama takon Thaçin, gati projekti i sistemit të unifikuar arsimor

Kreu socialist ka udhëtuar dje nga Brukseli në Prishtinë. Në Bruksel, ai u takua me personalitete të së majtës europiane. Kërkon ndihmë për reformën parlamentare.

Nga Brukseli ku zhvilloi një vizitë dyditore, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka mbërritur dje në Prishtinë, ku dhe nisur një sërë takimesh dhe aktivitetesh politike e kulturore, kjo edhe me rastin e festës së Pavarësisë, të cilën do ta kalojë pikërisht në Kosovë. Takimin e parë ai e ka pasur dje me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili është zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë. Gjatë takimit Rama i ka dorëzuar Thaçit librin e tij “Kurbani”, si dhe programin politik të Partisë Socialiste. Pas takimit, Rama dhe Thaçi kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku ndërmjet të tjerave kanë bërë të ditur se gjatë takimit është folur edhe për nismën për unifikimin e sistemit arsimor mes Shqipërisë dhe Kosovës. “Pata kënaqësinë që t’i dhuroj Kryeministrit edhe një kopje të programit tonë të ri, programit të Partisë Socialiste dhe të opozitës shqiptare, ku një ide e rëndësishme që po zhvillojmë në aspektin e arsimit, është ideja e një sistemi të unifikuar arsimor të Kosovës dhe Shqipërisë, për t’u dhënë mundësi gjithë fëmijëve, të rejave dhe të rinjve që të arsimohen dhe edukohen brenda të njëjtit sistem”, - tha Rama në fjalën e tij. Më tej ai ka rikonfirmuar edhe një herë se për sa i përket çështjes së Kosovës, mes forcave politike në Shqipëri nuk ka dallime. “Kosova është një nga ato pika të palëvizshme përbashkuese për të gjithë klasën politike në Shqipëri. Ne jemi të gjithë të njëzëshëm dhe s’ka asnjë dallim mes qeverisë dhe opozitës në Shqipëri lidhur me çka i takon asaj, që është rruga e Kosovës drejt integrimit europian dhe rruga e përbashkët drejt një kombi shqiptar të integruar në familjen europiane”, - tha më tej Rama. Ndërkaq, Kryeministri kosovar teksa ka shprehur kënaqësinë për vizitën e Ramës, ka shpjeguar se biseda mes tyre u përqendrua te bashkëpunimi në të gjitha sferat ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, në atë ekonomike, diplomatike dhe të arsimit, po ashtu në aspektin kulturor. Thaçi ka falenderuar Ramën edhe për librin që i dhuroi, ndërsa nuk ka nguruar ta vlerësojë atë për stilin e të shkruarit. “Kam kënaqësinë që të marr edhe librin nga z.Rama, për të cilin e uroj dhe e përgëzoj për mjeshtërinë e tij në të shkruar dhe prezantimin që i ka bërë. Prandaj, i uroj edhe njëherë sukseset më të mira z.Rama në politikë, në karrierën e tij, në punën e tij. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë shumë fuqishëm për perspektivën e Kosovës europiane, për perspektivën e Shqipërisë europiane, për perspektivën e gjithë rajonit, një perspektivë europiane”, - tha Thaçi. Më herët para se të mbërrinte në Prishtinë, Rama gjatë qëndrimit të tij në Bruksel zhvilloi një sërë takimesh me personalitete të së majtës europiane, si me kryetarin e grupit parlamentar të majtë europian, Martin Shultz, ku ndërmjet të tjerave ai denoncoi fshehjen që qeveria shqiptare sipas tij po i bën krizës ekonomike. “Ne jemi të bindur se Shqipëria është përpara një stuhie financiare, për të cilën qeveria jo vetëm nuk ka bërë asgjë për ta shmangur, por duke e fshehur krizën e ka bërë stuhinë edhe më të pashmangshme. Jemi ende në kohë për të ulur efektet e saj, por në rast se kokëfortësisht qeveria do të vazhdojë ta mohojë krizën, stuhia do të jetë shumë më e rëndë dhe fatkeqësisht do ta paguajnë ata që kanë më pak dhe të cilëve, qeveria iu kërkon të paguajnë më shumë taksa sesa ata që kanë më shumë dhe paguajnë më pak taksa”, - tha Rama pas takimit në një prononcim për mediat. Ndërsa Shultz u shpreh se “është logjike që Shqipëria është e prekur nga zhvillimet negative ekonomike në të gjithë Europën dhe transparenca për buxhetin është parakusht për demokracinë. Janë paratë e taksapaguesve ato që përbëjnë bazën e buxhetit, ndaj për shpenzimin e parave të popullit nevojitet maksimumi i transparencës dhe sinqeritetit”. Ndërkohë që Rama ka bërë të ditur se do i kërkojë Shulzit ndihmë nga grupi parlamentar i të majtëve europianë për reformën parlamentare që do të zhvillohet në Shqipëri. Për këtë Shultz ka bërë të ditur se javët e ardhshme, një grup deputetësh të Parlamentit Europian do të vijnë në Tiranë. Rama gjithashtu u takua edhe me kreun e Internacionales Socialiste, Luis Ayala.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›