E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Buxheti 2023/ Manastirliu: Fishat e diabetit falas për mbi 65-vjeçarët

Qeveria do të financojë fishat e diabetit falas për të moshuarit mbi 65-vjeç. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se kjo do të ndodh me buxhetin e ri 2023, ndërsa më herët ishin mundësuar falas për fëmijët dhe të rinjtë deri në moshën 25 vjeç.

Buxheti 2023 ofron gjithashtu mbështetje për mjekët dhe infermierët, tha ministrja e cila e konsideroi atë si buxhetin e forcimit të mburojës sociale për njerëzit në nevojë.

“Pasi rimbursuam fishat e diabetit për fëmijët dhe të rinjtë deri në 25 vjec, me buxhetin e ri, nga viti që vjen mbështesim të moshuarit +65 vjeç që vuajnë nga diabeti, duke rimbursuar fishat e diabetit falas dhe duke i kursyer të moshuarve të paktën 1 pension mujor në vit. Për shëndetësinë dhe mbrojtje sociale buxheti për 2023 është 95,1 miliard lekë. Ky buxhet është dy herë më i lartë se buxheti i vitit 2013. Buxheti 2023 është buxheti i shtimit të vëmendjes ndaj mjekëve dhe infermierëve. Pas rritjes me 63% të pagave gjatë këtyre viteve, pagat do rriten me 7% gjatë 2023, me një efekt financiar vjetor 1,8 mld lekë dhe do të përfitojnë rreth 19 mije mjekë e infermierë të sistemit tonë shëndetësor. Jemi gati ta përforcojmë mburojën financiare për kategoritë në nevojë. Gjatë këtij viti ne rritëm 20% masën e Ndihmës Ekonomike, dyfishuam masën e ndihmës për gratë kryefamiljare me 2 fëmijë, pas dyfishimit të masës së Ndihmës Ekonomike për nënat me tre e më shumë fëmijë. Po kështu dyfishuam masen e ndihmës ekonomike për të moshuarit e vetmuar dhe pa pension social. Këto masa nuk janë mbështetje për një herë por do të jenë mbështetje e vazhdueshme dhe e qëndrueshme edhe për 2023. Buxheti 2023 do të financojë nismën e mbështetur nga Këshillimi Kombëtar, një nismë që mbështet nënat e papuna me tre e më shumë fëmijë e me të ardhura familjare deri në 100 mijë lekë, duke i njohur si pune kontributive 5 vitet e para të rritjes së fëmijës së tretë e më shumë, e duke i subvencionuar shteti kontributet shoqërore e shëndetësore për këto vite”, tha Manastirliu.

Për shëndetësinë dhe mbrojtje sociale buxheti për vitin 2023 është 95,1 mld leke, ose mbi 4 mld lekë më shumë se buxheti i vitit aktual.

Buxheti 2023 garanton programet e shëndetit publik, vaksinimi kundër HPV, kontrollin mjekësor bazë, depistimit të kancerit të gjirit dhe kancerit të qafës së mitrës, garanton paketat shëndetësore falas, fuqizimin e shërbimit të urgjencës kombëtare si dhe vijimin e investimeve në shëndetësi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›