Rama nderon komandantin e ‘Guardia di Finanza’, Gjeneral Giuseppe Zafarana: Gjithmonë bashkë për të luftuar krimin

Kryeministri Edi Rama nderoi Komandantin e Përgjithshëm të Guardia di Finanza Italiane, Gjeneral Armate Giuseppe Zafarana, me Yllin e Madh të Medaljes për Mirënjohje Publike, në një ceremoni të posaçme mbajtur në Sallën e Hartave, në Kryeministri.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se Italia dhe Shqipëria kanë bashkëpunuar gjithmonë në luftën ndaj krimit të organizuar, ndërsa vlerësoi komandantin Armate Giuseppe Zafarana për ndihmën e paçmuar që ka dhënë për parandalimin e kultivimit të kanabisit përmes survejimit ajror.
“Sot jemi mbledhur për një kremtim të veçantë të një njeriu të veçantë. Një gjeneral, por mbi të gjitha një mik dhe një ndër përfaqësuesit e çmuar të një vendi që është ndoshta me i afërti shpirtërisht dhe pa dyshim ndër më dashamirësit e Shqipërisë, Italia! Gjenerali Zarafana është një ndër të dërguarit e shtetit italian që në nder të uniformes së tyre ka kontribuar, por njëkohësisht dhe ka dëshmuar një histori të gjatë prej tanimë tre dekadash përpjekjesh të përbashkëta dhe miqësie gjithmonë e më të fortë. Mbi të gjitha gjeneral Zafarana është një përfaqësues i denjë i petkut të “Guardia di Finanza”, një trup e shumë respektuar dhe e shumë vlerësuar, por përsa na takon ne shqiptarëve dhe përsa i takon Shqipërisë, për ndihmën e paçmuar që na ka dhënë në këtë fazë tonën kaq të rëndësishme të historisë tonë. Gjenerali është dekoruar me urdhrin e meritës së Republikës Italiane, por sidoqoftë unë shpresoj që në kraharorin e tij ka ende vend edhe për një dekoratë tjetër, e cila do të jetë aty për të dëshmuar nga njëra anë lidhjen e tij me vendin tonë dhe nga ana tjetër respektin dhe mirënjohjen e vendit tonë për të. Gjenerali ka dhënë një kontribut të çmuar në një front ku janë angazhuar shumë njerëz nga të dyja anët e kufirit dhe njëkohësisht si Komandant i Përgjithshëm i Guardia di Finanza ai ka udhëhequr edhe një përpjekje të tërë për të ndihmuar drejtpërdrejtë në patrullimin e brigjeve shqiptare, për të impaktuar pozitivisht në përpjekjen tonë kundër kultivimit të kanabisit, përmes survejimit ajror dhe për të bërë të mundur që në vijimësi rezultatet tona të jenë gjithnjë më kuptimplota, ndërkohë që në vështirësitë tona ne të mos jemi asnjëherë vetëm”, tha Rama.
Rama tha se Shqipëria dhe Italia do të vijojnë gjithnjë e më shumë të forcojnë bashkëpunimin në funksion të qëllimeve të përbashkëta.
“Dua të falënderoj çdo koleg të gjeneralit dhe dua të them që ky moment solemn i mirënjohjes përmes një dekorate simbolike për gjeneralin është njëkohësisht edhe një moment falenderimi për të gjithë të tjerët sepse puna e të gjithëve që kanë shërbyer në funksion të qëllimeve të mëdha të përbashkëta, të objektivave të përbashkët të një ambicieje të përbashkët për ta bërë hapësirën që ndan dhe bashkon dy vendet në një hapësirë gjithmonë e më të mirë, është pa diskutim një arsye shumë e fortë për të qenë mirënjohës edhe për faktin se falë kësaj pune është rritur gradualish, por në mënyrë të qëndrueshme besimi i njerëzve tek këto institucione, të cilat janë këtu për të luftuar pa pushim krimin e organizuar, për të luftuar pa pushim të gjitha format dhe shfaqjet e veprimtarive kriminale që shfrytëzojnë hapësirën mes dy vendeve dhe për të luftuar pa pushim e për të ngritur më lart dinjitetin e uniformës së të gjithë përfaqësuesve të shtetit shqiptar të cilët kanë pasur fat që të kenë pranë përfaqësuesit e këtyre strukturave të shtetit italian”, tha Rama.
Nga ana e tij Komandanti i Përgjithshëm i Guardia di Finanza, Gjeneral Armate Giuseppe Zafarana tha se këtë medalje do e mbajë gjithmonë me krenari dhe nder.
“Në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm do ta mbaj me të gjitha nderet që i përkasin. Pra në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm e mbi të gjitha si një shtetas italian, është një nder i madh për mua që të marr nga Z. Edi Rama, të cilin e falënderoj për vëmendjen që më kushtoi, këtë medalje të rëndësishme që sikurse thashë, do ta mbaj me krenari dhe me gjithë respektin që ajo meriton. Ceremonia e sotme, me rastin e 25-vjetorit të krijimit të Njësisë së Kufirit Detar, përveçse dëshmi e bashkëpunimit dhe miqësisë mes Guardia di Finanza-s dhe Forcave të Policisë Shqiptare. Është për mua një mundësi për të përsëritur dhe për të konfirmuar angazhimin e agjentëve te Guardia di Finanza në veprimtaritë e përbashkëta me autoritetet vendore. Guardia di Finanza ka qenë gjithmonë pranë popullit shqiptar dhe këtë e dëshmon edhe bashkëpunimi gjithmonë në rritje me institucionet përkatëse”, tha komandanti.
/rtsh.al/