E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Buxheti 2025, Ulliri: Të rinjtë e fëmijët janë të nënfinancuar, instrument propagande

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Andia Ulliri, prezantoi sot në Kuvend disa amendime të propozuara prej saj mbi projektbuxhetin e vitit 2025, me fokus mbështetjen e arsimit, infrastrukturës, të rinjve dhe fëmijëve.

Në fjalën e saj, Ulliri theksoi nevojën për, “shtimin e fondit për të rinjtë dhe fëmijët të cilët janë sot të nënfinancuar dhe përdoren vetëm si instrumente propagandistike. Shtimin e fondit për arsimin profesional, një hap i rëndësishëm për t’i pajisur të rinjtë me aftësi të kërkuara në tregun e punës. Ndërtimin e shkollës së mesme të bashkuar “Ramazan Karaj” në Nikël, e cila sot mungon prej 4 vitesh dhe duhet të përmirësojë cilësinë e arsimit dhe të krijojë mundësi më të mira për komunitetin lokal. Si dhe ndërhyrje për nyjet e shkëmbimit në Gramëz në projektin Thumanë-Kashar, që lidhet me përmirësimin e infrastrukturës rrugore, duke ndihmuar në lehtësimin e qarkullimit dhe zhvillimin ekonomik të zonës.”

Deputetja kritikoi qeverinë për mungesën e mbështetjes ndaj arsimit, shëndetësisë, rinisë, biznesit dhe bujqësisë, duke e akuzuar se prioritetet e saj janë kontratat abuzive dhe korruptive.

“Qeveria duhet të marrë përgjegjësi dhe të veprojë menjëherë për të ndalur këtë braktisje sistematike të rinisë dhe për të ofruar mbështetje të vërtetë, jo vetëm fjalë boshe.
Fati i Shqipërisë nuk mund të ndërtohet mbi propagandë dhe indiferencë, por mbi veprime konkrete dhe të përgjegjshme.

Në këtë buxhet prioritet nuk është arsimi, shëndetësia, rinia apo biznesi e bujqësia.
Prioritet në këtë buxhet janë vetëm kontratat abuzive dhe korruptive.
Prandaj vota ime është kundër”, thekson Ulliri.
/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›