Shalsi: Ekonomia shqiptare në rrugë të mbarë, nuk është zhvlerësuar euroja, ka forcim të lekut

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Eduard Shalsi tha sot se ekonomia shqiptare është në rrugë të mbarë, duke u rritur madje në parametra shumë më të mirë edhe se vendet e rajonit.
Në fjalën e tij në Kuvend, duke iu përgjigjur deputetes së Partisë Demokratike Jorida Tabaku, e cila kërkoi përfshirjen e amendamentit të saj për zhvlerësimin e euros në treg, Shalsi tha se “ose nuk e ke lexuar të plotë raportin, ose e ke lexuar dhe nuk e ke kuptuar. Po, ka një rënie 0,4%, megjithatë Banka e Shqipërisë thotë se treguesi i ndjesisë ekonomike është 13 pikë mbi mesataren historike”.
“Ka një rënie në sektorin e shërbimeve, por ka një rritje në sektorin e shërbimit dhe në sektorin e tregtisë. Nga ana tjetër folët për zhvlerësimin e euros dhe këtu po ju lexoj tekstualisht se çfarë shkruan Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në raportin e fundit: “Regjimi i lirë i kursit të këmbimit i ka shërbyer Shqipërisë dhe duhet të mbetet amortizatori kryesor i goditjeve”. Analiza e fundit monetare sugjeron se vlerësimi i qëndrueshëm i lekut është nxitur përgjithësisht nga faktorë themelorë si turizmi dhe produktiviteti”, tha Shalsi.
Shalsi theksoi se “nisur nga sa më sipër, i kam kërkuar edhe partnerëve të huaj që të asistojnë të shpjegojnë diferenca konceptuale me çfarë po ndodh me kursin lek/euro. Nuk është zhvlerësim i euros, është fuqizimi apo forcimi i lekut”.
“Ka një diferencë të madhe për të cilën nuk të paragjykoj, se nuk e kupton. I kam kërkuar partnerëve dhe Bankës së Shqipërisë që të zhvillojnë një kurs trajnimi edhe për deputetët, ku të marrin pjesë të gjithë dhe të na shpjegojnë për të kuptuar edhe më mirë se çfarë do të thotë fuqizimi i lekut dhe të ashtuquajturin “zhvlerësim të euros””, nënvizoi Shalsi.
Ai shtoi se “shpresoj që me trajnimin të kuptoni edhe treguesin e ndjesisë ekonomike edhe se si kjo diferencë kursi tregon që ekonomia shqiptare është në rrugë të mbarë, duke u rritur madje në parametra shumë më të mirë edhe se vendet e rajonit”.
/k.s/a.f/r.e/