Tabaku: Ndihmë emergjente për sektorin fason dhe bujqësinë

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku nga foltorja e Kuvendit akuzoi sot qeverinë se ka lënë pas dore dy nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vend, industrinë fasone dhe bujqësinë.
Sipas Tabakut këto dy sektorë duhet të ndihmohen në mënyrë emergjente nga qeveria për të shmangur falimentimet e mëtejshme.
“U diskutua për sektorë që janë nën financim, si rezultat i zhvlerësimit të euros është sektori i fasonerisë. Industria e fasonerisë punëson mbi 70 mijë qytetarë shqiptarë dhe ka peshën 30% në eksporte. Por kjo industri përballet me sfidën më të madhe të 20 viteve të fundit.
3000 kompani fason që prodhojnë dhe eksportojë jashtë janë mbyllur. Kjo është alarmante për një sektor që ka një numër të konsiderueshëm të punësuarish, që mund të jetë sektori i dytë mbas bujqësisë.
Ekonomia e Shqipërisë nuk e ka rritjen e pritshme të saj. Bujqësia nuk ka reflektuar atë që duhet të reflektonte ekonomia shqiptare mbas rritjes së turizmit dhe industria është sektori i dytë që e reflekton këtë krizë”, – tha Tabaku.
Deputetja e PD-së, shtoi se këto janë dy sektorë të cilët, si rezultat i informalitetit dhe parave të pista, janë dëmtuar rëndë.
“Nëse bujqësinë e ka zhdukur, i ka bërë praktikisht produktet shqiptare për t’u hedhur në rrugë. Nëse industrinë fasone është duke e shkatërruar, çfarë po eksporton sot Shqipëria? Kush është produkti “Made in Albania”?
Problemi kryesor është se ne duhet ti ndihmojmë që të bëhen gati për tregjet evropiane. Të kenë një cikël të plotë prodhimi, ku të nxjerrin në tregjet evropiane produkte “Made in Albania””, tha Tabaku.
Deputetja e PD-së theksoi se struktura e ekonomisë duhet të ndryshojë dhe bizneset duhet të rimodelohen që të përshtaten me tregun.
Sipas Tabakut “duhet patjetër të vendoset një fond garancie për të ndihmuar bizneset që të investojnë, jo t’i ngrijnë tatimfitimin”.
“Ndihma që jepet jepet për 70 mijë familje shqiptare, që varen nga pagat e një sektori që është me paga minimale, dhënia ndihme emergjente e këtij sektori që është në krizë dhe dhënia e ndihmës emergjente bujqësisë, që është në krizë dhe rimodelimi i biznesit, mendoj se duhet të ishin elementë kryesore të këtij buxheti”, tha deputetja e PD-së.
Tabaku nënvizoi se biznesi i industrisë fason dhe bujqësia, “janë shëmbëlltyra më të mira të ekonomisë shqiptare, me rënie katastrofë, ku sot kushdo që jeton me të ardhurat e këtij sektori është lënë në mëshirë të fatit”.
Tabaku u bëri thirrje kolegëve që të merret parasysh amendamenti dhe propozimet.
/r.e/a.f/