E Hënë, 2 Nëntor 2026

Buxheti 2026, Vasili: Objektiv, shtimi i 20 stacioneve DVB T2, digjitalizimi i arkivës së RTSH dhe seriale me origjinë shqiptare

Seriale me origjinë shqiptare, shtim të 20 stacioneve të reja të DVB T2 dhe digjitalizimi i arkivës audiovizive të RTSH-së janë tre prej objektivave themelorë të Radio Televizionit Shqiptar. Ka qenë kjo deklarata e Drejtoreshës së Përgjithshme të Radio Televizionit Shqiptar Eni Vasili në fjalën e mbajtur në Komisionin për Mjetet e Informimit Publik gjatë shqyrtimit të pr/buxhetit për vitin 2026.

Një nevojë të domosdoshme e konsideron Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së shtimin e 20 stacioneve të reja të DVB-T2, vlera e të cilave në total shkon në 800 milionë lekë.

“Në këtë projekt parashikohet shtimi i 20 stacioneve të reja DVB-T2 në territorin e Shqipërisë me qëllim zgjerimin e mbulimit të sinjalit dixhital tokësor, konform detyrimit ligjor për mbulimin e territorit me sinjal të DVB-T2 si dhe përmirësimin e cilësisë së transmetimit. Shtimi i stacionit të transmetimit për rritjen e zonave të mbulimit me sinjal të DVB-T2 që kanë të bëjnë me territorin e Shqipërisë, si projekt parashikohet të realizohet me një vlerë investimi prej 40 milionë lekë për një stacion, në total 20 stacione dhe shuma në total është 800 milionë lekë. E kemi kërkuar sivjet, pra është pjesë e kërkesave tona të zërit të investimeve”.

Vasili u shpreh se në fazën e parë për digjitalizimin e arkivës së RTSH-së, përfshihen konservimi fizik i materialeve analoge si fazë të parë, pajisjeve profesionale, procesin e digjitalizimit audioviziv, restaurimin digjital të imazhit dhe audios.

“Digjitalizimi i plotë i transmetimeve, rritja e cilësisë së përmbajtjes, modernizimi i teknologjisë,  përfundimi i procesit të digjitalizimit të arkivës së RTSH, një objektiv afatgjatë dhe i domosdoshëm që të fillojë. Për realizimin e këtyre objektivave nevojiten investimet e mëposhtme: Teknologji e re për transmetimet satelitore DVBT2, DVB S2 në këtë rast, zëvendësim i teknologjisë së amplifikatorëve me sistem modern solid state, instalim pajisjesh të reja, amplifikator, kabllo, etj. Vlera e investimit shkon në 19 milionë lekë. Rinovimi i regjive dhe pajisjeve televizive: 175 milionë lekë. Digjitalizimi i arkivës audiovizive të RTSH- konservimi fizik i materialeve analoge fazë e parë, blerja e pajisjeve profesionale, procesi i digjitalizimit audioviziv, restaurimi digjital i imazhit dhe audios, vlera e investimit 200 milionë lekë në fazë të parë. Ministria e Financave ka parashikuar 50 milionë lekë, nevoja shtesë 1.2 milionë shtesë”, deklaroi Vasili.

Përmirësim i transmetimeve FM dhe rinovim i sistemit të radios, vlera e investimit do shkonte 43 milionë lekë.

“Investimet në studiot e radios dhe regjistrim radio, vlera e këtij investimi do të shkonte në vlerën 31 milionë lekë”, shtoi Vasili.

Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH theksoi si të domosdoshme gjithashtu dhe nevojën për seriale me origjinë shqiptare. Ajo deklaroi se realizimi i eventeve ndërkombëtare (të cilat përfshijnë Festivalin e Këngës në RTSH, Eurosong, Junior Song dhe spektaklet e prodhimet e fundvitit, kapin vlerën 126 milionë lekë, ndërsa nevoja reale është 146 milionë lekë.

“Objektivat tona: Realizimi i eventeve mbarëkombëtare: Festivali i Këngës, Eurosong, Junior Song, spektakle dhe programacion i larmishëm, prodhime filmike, seriale me origjinë shqiptare, kjo do ishte një domosdoshmëri për ne për 2026. 126 milionë lekë, financimi parashikuar nga Ministria e Financave, nevoja reale është 146 milionë lekë, 20 milionë lekë nevoja shtesë.

Projektet teknike për futjen e teknologjive të reja, një zë që financohet nga buxheti i shtetit. Një nga objektivat kryesore është sigurimi funksionimit të rrjetit të transmetimit digjital DVB T2 me disponueshmëri mbi 99.8%. Deri tani mbulohet 98% e popullsisë dhe 80% e territorit.

265 milionë lekë, shpenzimet reale vjetore për këtë zë. Financimi aktual është 200 milionë lekë, pra diferenca është 65 milionë lekë dhe kjo diferencë do duhej të vinte nga buxheti i shtetit”, sqaroi Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH, Eni Vasili.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›