Drejtoresha e Përgjithshme Vasili: Arkivi RTSH-së në rrezik, aparaturat kufizojnë digjitalizimin e materialeve të vjetra

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, njoftoi se RTSH po nis një fazë të parë të restaurimit fizik të arkivit të saj audioviziv, duke përfshirë materiale nga viti 1969 deri në 1990.
Sipas Vasilit, aparatura aktuale e RTSh-së mund të digjitalizojë vetëm materialet pas viteve ’90, ndërsa versionet më të vjetra në 18 mm, 16 mm, Ampex dhe Bosch janë të rrezikuara nga degradimi.
Në fokus të këtij procesi është ruajtja dhe konservimi i arkivit historik të RTSH-së, duke siguruar që trashëgimia audiovizive e vendit të mbetet e aksesueshme për brezat e ardhshëm.
“Ne mund të digjitalizojmë deri në vitet 90 dhe jo më parë, për shkak të aparaturës që ndodhet sot në RTSh. Në e quajmë beta dhe kryen një proces i cili mund të na sjellë në vëmendje vetëm post 90 dhe asgjë tjetër. Sa i takon versioneve të tjera që kanë të bëjnë me film 18 mm, 18-16 mm, ampex, bosch këto janë pjesë ë arkivës të cilat janë në rrezik degradimi dhe sa i takon konservimit dhe restaurimit. Shuma që kërkojmë ne është për një fazë të parë, dhe ka të bëjë me restaurimin fizik, para se të fillojmë digjitalizim e kësaj pjese të arkivës nga 1969 në 1990 dhe duhet të shohim si e kemi dhe si është e mundur për ta ruajtur dhe të kalojmë në faza të tjera që kanë të bëjnë për digjitalizimin. Sipas ekspertëve që jam konsultuar edhe në panairin ndërkombëtar të teknologjisë dhe aparaturat që kemi janë aparatura që janë në zhdukje. Dhe ky është një element që mund të hyj te emergjencat. Shifrat që kemi vënë ka të bëjë vetëm me një fazë të parë dhe sigurisht që jemi në përpilim të një projekti për një vlerë totale e cila merr dhe kohë dhe financa më të mëdha ndoshta tejkalon buxhetin e një vitit dhe mbase dhe të 3 viteve”, u shpreh Vasili.
/rtsh.al/