21 Janari, SPAK: Berisha nënshkroi urdhër-thirrjen e tretë për t’u pyetur të premten. Kryedemokrati kërkon shtyrjen e datës

Ish-kryeministri Sali Berisha ka marrë sot në dorë fletëthirrjen e tretë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në momentin që është paraqitur në kuadër të zbatimit të masës së sigurisë “Detyrim Paraqitje”.
Sipas SPAK, Berisha ka nënshkruar urdhër-thirrjen për çështjen e 21 Janarit përmes së cilës i kërkohet të paraqitet në datën dhe orën e caktuar.
“Sot më datë 17.11.2025, gjatë zbatimit të masës “detyrim paraqitje” në Prokurorinë e Posaçme, z. Sali Berisha është njohur dhe ka nënshkruar urdhër-thirrjen lidhur me procedimin penal nr.138 të vitit 2024 (çështja e 21 Janarit), përmes të cilës, i kërkohet të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme, në datën dhe orën e caktuar”, thuhet në njoftim.
Berisha është thirrur nga SPAK për t’u pyetur të premten e 21 nëntorit, si person në dijeni për “21 Janarin”, por pas nënshkrimit të fletë-thirrjes, mësohet nga burime për RTSH24 se me anë të mbrojtësit të tij ligjor Genci Gjokutaj, ka kërkuar të shtyhet marrja në pyetje në një datë tjetër, me argumentin se do të ndodhet jashtë territorit.
Në një deklaratë të bërë jashtë ambienteve të SPAK paraditen e kësaj të hëne (17 nëntor), pas paraqitjes në këtë Prokurori, Berisha mohoi të ishte njohur me dy fletë-thirrjet e mëparshme.
“Në mënyrë absolute nga data 3 gjer sot, asnjë person nuk ka ardhur të më thotë orë dhe datë, të më dorëzojë një letër, dhe asnjë person nuk rezulton të ketë marrë përsipër një gjë të tillë.
Po, të sqaroj për postën elektronike. Unë kam dy posta elektronike, njërën e kam timen, tjetra është e parlamentit, të cilën nuk e përdor.
E kam përdorur vetëm në një rast, në një korrespondencë, e detyrueshme të jetë nga parlamenti dhe jo nga emaili privat.
Por unë kam një gjë tjetër. Unë kam një numër telefoni që e njeh e gjithë botë, që marr çdo ditë me qindra mesazhe dhe dokumente dhe aty nuk ka ardhur asnjë gjë”, theksoi ai.
Berisha nuk është i është përgjigjur dy fletë-thirrjeve të dërguara më herët nga SPAK, konkretisht më datë 3.11.2025 në adresën e banesës (për t’u paraqitur në SPAK në datë 7.11.2025) dhe në datën 7.11.2025, në adresën e banesës, Partisë Demokratike dhe Kuvendit (për t’u paraqitur në datën 14.11.2025). Urdhër-thirrja e parë, e dërguar në banesë më datë 3.11.2025, është kthyer mbrapsht në Prokurorinë e Posaçme, me shënimin: “Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.”
Ndërsa pas fletë-thirrjes së dytë të SPAK, Berisha në një deklaratë për media u shpreh se njoftimi do duhet t’i shkonte sikurse në herët e tjera.
/rtsh.al/