E Hënë, 2 Nëntor 2026

Buxheti 2026 për SHISH-in 3 miliardë lekë, opozita: Të rriten shpenzimet kapitale

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ Drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, prezantoi sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, projektbuxhetin për vitin 2026 për institucionin që drejton.

Gjatë fjalës së saj, Hyseni bëri një përmbledhje të shpenzimeve të buxhetit të këtij viti për periudhën janar-shtator 2025.

Sipas Hyseniti “realizmi i buxhetit është 1,76 miliardë lekë ose 63% ndaj programit, deri në fund të vitit, realizmi parashikohet të jetë në masën 93%”.

“Konkretisht realizmi sipas zërave buxhetore paraqiten në shpenzime korente, për paga dhe sigurime për personelin është realizuar në masën 65% dhe deri në fund të vitit pritet të zhvillohet në 92%. Për mallra dhe shërbime është realizuar në masën 65%, pasi një pjesë e shpenzimeve janë në proces realizimi deri në fund të vitit pritet të realizohen në masën 96%”, tha ajo.

Sa i përket projektbuxhetit për vitin 2026, Hyseni tha se për SHISH “është parashikuar një fond në shpenzime të përgjithshme në shumën 3 miliardë lekë dhe ka një rritje prej 172 milionë lekë më shumë nga fondi i miratuar vjet”.

“Mbi tavanin e projektbuxhetit të parashikuar për shpenzime korente në vitin 2026, paga sigurime për personelin, mallra, shërbime, transferta për individin, do të mbulojë nevojat e institucionit”, tha Hyseni e cila kërkoi që seanca të kalojë më dyer të mbyllura.

Opozita kërkoi që seanca të jetë publike, pasi sipas tyre nuk ka asnjë sekret shtetëror.

“Buxheti të jetë transparent për qytetarët. Nuk është sekret t’u thuash qytetarëve të këtij vendi se buxheti i miratuar nga qeveria është kaq. Nuk janë sekret shtetëror kërkesat. Është hera e parë në 34 vite që terri informativ mbulon këtë komision në raportimin e SHISH. Duhet të raportoje nëse ka mangësi apo jo, çfarë nevojash ka”, tha deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka.

Pavarësisht kërkesës së tij, seanca vijoi më dyer të mbyllura. Pas prezantimit nga Hyseni të projektbuxhetit, seanca u rikthye me dyer të hapura.

Deputeti i Partisë Demokratike, Isuf Çelaj propozoi që të rriten shpenzimet kapitale për SHISH-in.

“Sugjeroj rritjen e shpenzimeve kapitale nga 6,6% që është sot të shkojë brenda 2028 në 15%, kryesisht në pajisje dhe teknologji. Në fokus të gjithë veprimtarisë suaj duhet të jetë lufta kundër krimit të organizuar, kërkojmë që të keni burime personeli, kapitale, për rrjetet e drogës, rrjetet e pastrimit të parave, infiltrimin në ekonomi, kryesisht në turizëm, ku bëhet pastrim parash”, tha ai.

Ndërsa deputeti i opozitës Erald Kapri tha se “buxheti nuk është i mjaftueshëm për sfidat që ka vendi ynë në raport me të gjitha problemet që mund të cenojnë sigurinë e saj kombëtare”.

Kreu i SHISH, Vlora Hyseni për projektbuxhetin 2026 tek Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe ... 1 nga 3

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›