BRUKSEL – Von der Leyen: Asetet e ngrira ruse, mënyra më efektive për të financuar Ukrainën

BRUKSEL, 13 nëntor /ATSH-AFP/ – Përdorimi i aseteve të ngrira ruse në Evropë përfaqëson mënyrën më efektive për të financuar Ukrainën gjatë dy viteve të ardhshme, deklaroi sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Ne po i japim një kredi Ukrainës, të cilën Ukraina do ta shlyejë nëse Rusia paguan dëmshpërblimet. Kjo është mënyra më efektive për të mbështetur mbrojtjen dhe ekonominë e Ukrainës”, deklaroi ajo në një fjalim para Parlamentit Evropian në Bruksel.
Kjo kredi, me vlerë 140 miliardë euro, do të bëhet e mundur duke mobilizuar asetet e bankës qendrore ruse, pjesa më e madhe e të cilave mbahet te Euroclear, një kompani me seli në Belgjikë.
Këto asete arrijnë në total afërsisht 210 miliardë euro.
”Kjo zgjidhje përfaqëson mënyrën më të qartë për ta bërë Rusinë të kuptojë se koha nuk është në anën e saj. Ne do të tregojmë se, nëse është e nevojshme, jemi të përgatitur të angazhohemi për një periudhë afatgjatë”, shpjegoi von der Leyen.
Ky është një nga tre opsionet e mbështetura nga Komisioni Evropian për të financuar mbështetjen evropiane për Ukrainën, e cila do të mbetet pa para duke filluar nga tremujori i parë i vitit 2026, për shkak të ndërprerjes së mbështetjes amerikane.
Vendet e BE-së janë zotuar të sigurojnë këtë financim, por opsionet janë të kufizuara dhe dy të parat janë veçanërisht të kushtueshme.
Von der Leyen pohoi se, përveç përdorimit të aseteve ruse, shtetet anëtare kanë pak zgjedhje përveçse të financojnë vetë Ukrainën drejtpërdrejt ose të lejojnë BE-në të marrë hua në tregje.
Këto zgjidhje refuzohen nga disa vende të BE-së, përfshirë Gjermaninë dhe Francën.
Belgjika, nga ana tjetër, ngurron të përdorë asetet ruse nga frika se do të lihet vetëm për të paguar dëmet dhe të përballet me hakmarrje të mundshme ruse.
Komisioni Evropian pritet të paraqesë një propozim deri në dhjetor, duke marrë parasysh kushtet e vendosura nga Belgjika, mes të cilave dhe një klauzolë që garanton solidaritet efektiv midis shteteve anëtare të BE-së.
BE shpreson të arrijë një marrëveshje në samitin evropian më 18 dhe 19 dhjetor./ /Ad.Ab./