E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pretenca; Trafiku i drogës, 27 vjet burg për Kakulin e Kalivaçin



Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dje shpalljen fajtorë dhe dënimin me 27 vjet burg për dy të akuzuarit për trafik të lëndëve narkotike. Akuza i kërkoi gjykatës shpalljen fajtor dhe dënimin me 16 vjet heqje lirie për të pandehurin Arenc Kalivaçi, kurse për bashkëpunëtorin e tij Roland Kakuli, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 11 vjet heqje lirie. Nga hetimet e kryera prej autoriteteve greke rezulton se i pandehuri Arenc Kalivaçi dhe Roland Kakuli, në bashkëpunim dhe me një person tjetër të paidentifikuar, kanë kultivuar bimë narkotike kanabis sativa në një zonë pyjore në “Liafica” të Dhamatsës (Fthiotida) në Greqi. Ky fakt është zbuluar gjatë një operacioni të policisë greke në datën 25 gusht 2005, gjatë të cilit njëri nga policët grekë që merrte pjesë në aksion, i quajtur Petro Kordhas, i veshur civil është qëlluar me armë nga Arenc Kalivaçi, por nuk ka pësuar asnjë dëmtim. Pas këtij aksioni të dështuar të policit Kordhas për të verifikuar parcelën e mbjellë me hashash, në drejtim të vendit të dyshuar është nisur një grup i forcave të policisë për t’i arrestuar pronarët e kësaj parcele. Sapo i janë afruar parcelës me hashash, i pandehuri Arenc Kalivaçi ka qëlluar në drejtim të policisë me automatik, duke iu shmangur kështu arrestimit të tij së bashku me personin tjetër të paidentifikuar, ndërsa Roland Kukuli është arrestuar për t’u dërguar më pas në Shqipëri. Ndërsa në mes të plantacionit të hashashit, sipas kërkesës për gjykim, janë gjetur një pistoletë dhe dy granata, ku nga ekspertimi daktiloskopik ka rezultuar se në to ndodheshin gjurmë papilare që i përkasin Arenc Kalivaçit, i cili së bashku me Roland Kukelin janë arrestuar në Shqipëri muaj më parë. Sipas prokurorisë, i pandehuri Arenc Kalivaçi ka kryer veprat penale të “kultivimit të narkotikëve”; “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë”; “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”, të gjitha këto në “grupin e strukturuar kriminal”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›