E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i Tiranës fle në zyrat e institucioneve

06/05/2010 Ende nuk ka një afat zyrtar se kur do të mblidhet këshilli bashkiak i Tiranës

Tashmë janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore për miratimin e tij

Mungesa e mbledhjes së këshillit bashkiak po lë pezull miratimin e buxhetit të kryeqytetit për 2010-ën. Pas përplasjeve dhe debateve të shumta të lindura ndërmjet palëve politike, ky buxhet nuk ka arritur të marrë aprovimin e këshillit, ndërkohë që janë tejkaluar edhe të gjitha afatet ligjore. Për javë të tëra me radhë është kërkuar zhvillimi i mbledhjes, por në asnjë rast nuk është zhvilluar. Ndërkohë që akuzat ndërmjet palëve për vonesa dhe zvarritje të miratimit të këtij buxheti janë shtuar vazhdimisht. Në fillim të kësaj jave ishte planifikuar mbledhja e këshillit, por sipas zërave pranë këtij institucioni nuk do të bëhet, duke e shtyrë sërish atë për një tjetër afat të pacaktuar. Shkak për këtë zvarritje sipas tyre është bërë edhe protestat e greva e urisë që ka përfshirë të majtën shqiptare prej disa ditësh. Komunikimi i fundit për projektbuxhetin e Tiranës ka qenë në mbyllje të muajit mars, ku nëpërmjet një akuze të ngritur, këshilltari i të djathtëve, Ferdinand Poni, ka kërkuar nga bashkia dhe hartuesit e buxhetit transparencën e projekteve të parashikuara për t’u realizuar gjatë 2010-ës. Sipas tij, hartuesit e buxhetit nuk po japin shpjegimet konkrete mbi detajimet që paraqiten në dokumentin përkatës, veçanërisht për zërin e taksave. Gjithashtu në këtë komunikim Poni ka akuzuar kryebashkiakun Rama se nuk po zbaton ligjin për t’iu përgjigjur interesit të mazhorancës në këshillin bashkiak, në lidhje me taksat, projektet e pafinancuara dhe gjendjen e kopshteve të Tiranës, detyra të cilat i janë kërkuar kohë më parë këtij institucioni nëpërmjet shkresave të veçanta të depozituara. Deklaratat politike dhe akuzat e ndërsjella ndërmjet përfaqësive politike që janë në përbërje të këshillit kanë qenë të vetmet përgjigje për ngërçin e krijuar. Ndërkohë që buxheti vijon të “flejë” nëpër zyrat e institucioneve.

Diskutimi

Në mbledhjen e fundit, pas diskutimeve janë vënë re një sërë mangësish të tjera, për të cilat janë depozituar shkresa në bashki, që të jepet një përgjigje ku të bëhet një pasqyrim i plotë i tyre, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Anëtarët e këshillit kanë kërkuar që, para se të miratohet buxheti i kryeqytetit për investimet përkatëse, të jetë objekt diskutimi numri i taksapaguesve, taksat e vërteta që paguajnë qytetarët dhe bizneset e Tiranës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›