E Diel, 1 Nëntor 2026

Hekurudha, mbi shina 150 kalime të paligjshme

06/05/2010 Drejtori rajonal i Shkodrës, Tonin Trupa: Prishen ditën e ndërtohen natën

Gjatë viteve të fundit shumë aksidente për shkak të ndërhyrjeve

SHKODER- Drejtuesit e hekurudhës në Shkodër e shohin si një problem tepër shqetësues dhe permanent, rindërtimin e mbikalimeve të paligjshme përgjatë linjës hekurudhore Hani i Hotit- Shkodër- Lezhë. Deri tani, shprehet Drejtori rajonal i Hekurudhës Shkodër,Tonin Trupa, faktet tregojnë se as aksionet e mëdha dhe as ndërhyrjet e herëpashershme të Policisë Ndërtimore nuk kanë mundur dot, jo vetëm të ndalojnë ndërtimin e mbikalesave të paligjshme, por as të frenojnë rindërtimin e tyre. Sipas drejtorit Trupa, mbikalimet po i ngjajnë ndërtimit të kalasë “Rozafa”, por me ndryshimin se ato prishen ditën dhe rindërtohen natën. Për drejtorin Trupa, ringritja e tyre po paraqet shqetësim të madh në rrallë të parë, pasi sjell pasoja për jetën e njerëzve, por edhe pasi frenon lëvizjen me shpejtësi normale të trenave të udhëtarëve. Për Drejtorin rajonal të Hekurudhës në Shkodër, Tonin Trupa, mbikalimet nuk janë të fshehta, por lehtësisht të verifikueshme, qoftë edhe nga një udhëtim me tren në të gjithë gjatësinë e aksit hekurudhor. Nga vëzhgimet e kësaj drejtorie, përgjatë linjës hekurudhore në fjalë u konstatuan plot 150 mbikalime, të cilat edhe po të prishen të gjitha, më pas dihet se do të rifillojë ngritja e tyre nga banorët e fshatrave përgjatë linjës hekurudhore. Për sa u përket aksidenteve para dy vitesh pati dy raste aksidentesh në linjën hekurudhore. Njëri pranë fshatit Kaçë që u pasua me vdekjen e një personi dhe një tjetër ndodhi në afërsi të fshatit Kuç, ku një mjet Ford u përplas nga treni, por fatmirësisht pa pasoja jete.

Gjatë vitit të kaluar pati një aksident në afërsi të fshatit Vukatanë, ku mbeti i plagosur një shtetas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›