Buxheti që refuzon krizënNga Ervin QafmollaPakkujt do t’i kish vajtur ndërmend që Shqipëria do të mundësonte një rritje ekonomike historike në kulmin e një krize ekonomike historike. Por qeveria bën përjashtim nga pjesa tjetër e shqiptarëve dhe insti
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Buxheti që refuzon krizënNga Ervin QafmollaPakkujt do t’i kish vajtur ndërmend që Shqipëria do të mundësonte një rritje ekonomike historike në kulmin e një krize ekonomike historike. Por qeveria bën përjashtim nga pjesa tjetër e shqiptarëve dhe institucioneve të huaja. E vërteta, nëse shihen parashikimet e Ministrisë së Financave për buxhetin 2010, është se vendi ynë do të ketë një rritje ekonomike mbi 20% për vitet 2009-2010. Në fakt, ky nivel i rritjes ekonomike nuk është artikuluar në mënyrë eksplicite nga qeveria shqiptare, por është rrjedhojë e pakundërshtueshme logjike e parashikimeve financiare që ajo ka bërë. Vlen të theksohet se për vitin 2010 Ministria e Financave ka parashikuar 361 miliardë lekë të ardhura.
Ndërsa për vitin 2008, të ardhurat e buxhetit faktik të miratuar me ligj jo me shumë se 2 muaj më parë, u llogaritën në 243 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat e parashikuara për vitin 2009 janë llogaritur në nivelin 254 miliardë lekë. Sipas të dhënave zyrtare, rritja ekonomike e vendit për vitin 2008 u vlerësua në 7% nga viti 2007, kur të ardhurat në buxhet ishin 210 miliardë lekë. Logjikisht, nëse merret parasysh niveli i të ardhurave dhe ai i rritjes ekonomike për vitin 2008, rezulton që për vitet 2009-2010, rritja ekonomike të jetë diku mbi nivelin 20%. Se si kjo shifër ndahet respektivisht sipas secilit vit, kjo është çështje interpretimi dhe përllogaritjeje. Por, në çdo rast, është fakt se të paktën njëri nga dy vitet, 2009 ose 2010, do të ketë një rritje ekonomike dyshifrore, një objektiv i shprehur qartë nga kryeministri i vendit, Sali Berisha. Ndërkaq, rritja ekonomike do të jetë produkt i vitit 2009, i cili është vit i krizës ekonomike dhe i vitit 2010, i cili me pak fat mund të konsiderohet si vit i rimëkëmbjes. Në fjalë më të thjeshta, do të thotë se, ose viti 2009, ose ’10, do të ketë një rritje ekonomike mbi 10%, përjashto mundësinë, kur të dy vitet rezultojnë me një rritje ekonomike me rreth 10% secili.
Në çdo rrethanë, kjo situatë nuk mund të flasë për gjë tjetër, veçse për shumë pak skenarë që kanë mundësuar këtë ndodhi kaq të pazakontë, të denjë për t’u dhënë mësim në universitetet më të mira ekonomike: mrekulli, gënjeshtër ose humbje e arsyes. Skenari i parë ka shumë pak gjasa që të merret seriozisht.
A ka gjasa të ndodhë?
Pavarësisht se parashikimet e Ministrisë së Financave për vitin 2010 kanë dimensione anekdotike, sërish vlen të mendohet, nëse ka ndonjë mundësi në horizont që plani i ngadhënjimit ekonomik të vihet vërtet në zbatim. Ky vit financiar që po përfundon është një pikënisje relevante për të kuptuar se si paraqiten shanset.
Ministria e Financave kishte parashikuar që brenda skenarit më pesimist të mundshëm - me rritje ekonomike 0% - të ardhurat në buxhet do të paraqiteshin rreth 20 miliardë lekë. Ndonëse për gjithë vitin 2009 Financat kanë parashikuar një deficit në të ardhurat buxhetore në nivelin e 20 miliardë lekëve më poshtë se plani, vetëm për 9-mujorin 2009 të ardhurat e mbledhura deri në muajin shtator flasin për 21 miliardë lekë nën plan. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se “skenari më i zi i mundshëm” është realizuar, madje tejkaluar me 1 miliard lekë, 3 muaj para afatit. Por, sa mund të shkojë deficiti i të ardhurave deri në fund të vitit? Nëse llogaritet trendi i muajve të fundit, shto këtu edhe mosrealizimin e muajit shtator prej 3.8 miliardë lekësh, një variant optimist do të ishte 3 miliardë lekë poshtë planit për çdo muaj: tetor, nëntor, dhjetor. Shifra finale në mbyllje të vitit, me shumë të ngjarë nuk do të vërtitej poshtë nivelit 30 miliardë lekë deficit, çka do të ishte 10 miliardë lekë më keq se skenari më pesimist që Financat kishin menduar.
Ndërkaq, shumë shpejt pas zgjedhjeve të 28 qershorit, Këshilli i Ministrave përmes një tjetër vendimi bllokoi rreth 214 milionë euro investime të parashikuara. Vendimi parashikonte që investimet të qëndronin të bllokuara deri në një urdhër të dytë, i cili ende nuk ka mbërritur. Ndërkaq, këtë situatë duket se e kanë marrë shumë seriozisht ministrat e kabinetit Berisha, të cilët vazhdojnë të kenë debate dhe përplasje mbi ndarjen e fondeve, që në një masë të madhe ngjajnë imagjinare.
“Thirrini mendjes!”
Komedia e buxhetit të ri dhe parashikimeve makroekonomike të qeverisë shqiptare ishte paralajmëruar -në njëfarë mase edhe publikisht - nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Me një terminologji tejet diplomatike, FMN arriti megjithatë t’u bjerë disa kambanave të alarmit lidhur me financat publike për vitin 2010.
“Është imperative të vendosen objektiva realiste të të ardhurave. Nuk mund të presim që të kemi sërish ritme shumë të larta të rritjes që janë vënë re në 2007 dhe 2008, por ashtu duhet edhe programi realist i shpenzimeve. Nëse kjo bëhet ashtu siç duhet, atëherë ekonomia shqiptare ka shanse shumë të mira ta kalojë këtë krizë. Javët e ardhshme do të jenë kritike për të ecur në drejtimin e duhur, sa i takon përgatitjes së buxhetit të vitit 2010”, - u shpreh Gerwin Bell, shef i misionit të FMN për Shqipërinë. Sipas FMN, deficiti buxhetor ka kapur nivelin 6.5% të GDP, ndërsa borxhi publik ka arritur në 60% të GDP. Fondi paralajmëroi se, nëse qeveria nuk do të parashikojë një buxhet realist, vitin e ardhshëm mund të ketë probleme për ekonominë shqiptare. Fondi ka korrektuar sërish parashikimet për ekonominë shqiptare duke projektuar për vitin 2009 një rritje prej 2%, ndërsa për vitin e ardhshëm, 3%.
“Një pozicion i fortë fiskal dhe konsolidimi i borxhit publik do të ndihmojë ekonominë të përmirësojë besimin brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu kjo do i lejonte sistemit bankar që ta kanalizojë kredinë drejt aktiviteteve më produktive të sektorit privat dhe jo në borxh qeveritar. Ajo çka është më e rëndësishme është ulja e borxhit publik dhe një pozicion fiskal i fortë dhe i qëndrueshëm. Janë shumë kritike, kur do të marrë kredi në tregun e huaj”, - tha Bell.
Ndërkaq, krejt ndryshe nga ç’këshillojnë institucionet financiare shqiptare dhe të huaja, qeveria duket se nuk po i merr shumë seriozisht problemet aktuale të ekonomisë, përderisa i jep theks dhe kohë mediatike një triumfi të pamundur ekonomik.
Problemi i borxhit
Qeveria shqiptare ka deklaruar se do të fillojë të kërkojë kredi më të lira në pranverën e ardhshme në tregun ndërkombëtar për të ri-financuar një sasi borxhi tejet të shtrenjtë që mori këtë vit, ndërkohë që kredimarrja e huaj shihet edhe si një mënyrë për të financuar deficitin buxhetor të programuar për vitin e ardhshëm. “Shërbimi i borxhit publik për vitin 2010 përbën një sfidë, ndaj jemi përgatitur që në pranverë Shqipëria të dalë në tregun ndërkombëtar për të financuar nevojat e vendit për pará me një kosto shumë më të mirë”, - tha ministri i Financave, Ridvan Bode, dje në parlament, kur po prezantonte buxhetin e vitit të ardhshëm. “Ministria e Financave ka nisur negociatat me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën Botërore që projektet madhore të infrastrukturës të mund të udhëhiqen nga këta donatorë”, - u shpreh Bode, pa përmendur Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Problemi është se sakaq, qeveria ka arritur nivelin prej 60% të borxhit publik, çka do të thotë se ka arritur kufirin maksimal të lejuar për vende si Shqipëria. Ndërkaq, qeveria ka parashikuar një deficit prej 50 miliardë lekësh (378 milionë euro ose 540 milionë dollarë) për vitin e ardhshëm, që do të financohet përmes marrjes së borxheve, por në kushtet aktuale të tregut financiar në Shqipëri emetimi i një sasie të tillë borxhi ngjan një operacion i vështirë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, pothuajse 100% e depozitave të shqiptarëve nëpër banka janë përdorur për të kredituar qeverinë apo biznesin, gjë që e bën të vështirë për sistemin bankar të blejë borxh të ri. Për këtë arsye qeveria po mendon për të dalë në tregun ndërkombëtar për kredi në euro.