E Diel, 1 Nëntor 2026

“I turpshëm justifikimi i dhunës mbi gazetarin nga shërbëtorët e pushtetit në Tiranë”Nga Rudina XhungaFlet Marco Travaglio, një nga përfaqësuesit më me zë të gazetarisë investigative në Itali Kohët e fundit ju keni fituar një çmim të rëndësishëm

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

“I turpshëm justifikimi i dhunës mbi gazetarin nga shërbëtorët e pushtetit në Tiranë”Nga Rudina Xhunga

Flet Marco Travaglio, një nga përfaqësuesit më me zë të gazetarisë investigative në Itali

Kohët e fundit ju keni fituar një çmim të rëndësishëm. Si e shpjegoni heshtjen e medieve italiane mbi këtë vlerësim që keni pasur?

Më kanë dhënë çmimin për lirinë e shtypit, një çmim prestigjioz që jepet çdo tre vjet nga Federata e Gazetarëve Gjermanë për gazetarët e vendeve ku nuk ka liri shtypi ose ku kjo liri është në rrezik të madh. Mjafton të përmend që përpara meje këtë çmim e patën fituar një gazetar serb dhe një gazetare ruse. Fakti që këtë vit ma dhanë mua, përveçse më bën krenar, më shqetëson gjithashtu, sepse do të thotë se na konsiderojnë njëlloj me vendet që kanë një demokraci të re. Nga ana tjetër, perceptimi që kanë organizatat ndërkombëtare, si ajo e “Reporterëve pa Kufij” apo “Freedom House”, duket qartë se çdo vit Italia bie në klasifikimin e medies së lirë dhe në raportin e këtij viti konsiderohemi vend pjesërisht i lirë për sa i përket lirisë së shtypit, si në kohën e qeverisë së parë të Berluskonit.

Ka ndryshuar gjë në panoramën italiane pas protestave nëpër sheshe dhe reagimit të kryeministrit, si dhe pas daljes së gazetës “Il Fatto”?

E vetmja e re është që më në fund ka dalë një gazetë pa padron, që nuk ka një botues që të ketë interesa në konflikt me ato të lexuesve, të cilët kanë të drejtën të dinë gjithçka për të gjithë, kemi një gazetë me emrin “Il Fatto Quotidiano” që nuk merr pará nga shteti dhe që pas vetes nuk ka ndonjë financier, ndonjë bankier, ndonjë biznesmen, ndonjë nga ata që ndërtojnë e shesin pallate, ndonjë politikan apo ndonjë kryeministër, apo parti. Kjo gazetë është thjesht e një grupi miqsh, një grup gazetarësh që janë bashkuar për të treguar gjithçka ndodh, pavarësisht nëse i pëlqen apo bezdis të djathtën, qendrën apo të majtën.

Por sistemi ka mbetur ai që ishte. Gazetat vuajnë konfliktin e interesit, konfliktet mes interesit të pronarëve dhe lexuesve. Nga ana tjetër televizioni është krejtësisht në duart e politikës, e në veçanti në duart e kryeministrit.

Sipas jush, është në traditën e shtypit dhe të medieve italiane kjo lloj bindjeje, të themi, ndaj pushtetit apo situata ka ndryshuar me futjen në politikë të Silvio Berluskonit?

Ajo që ka sjellë me vete futja e Berluskonit në politikë, është një hap i madh prapa. Edhe më parë informacioni në Itali nuk ishte i famshëm për lirinë e vet, por ata që donin ta ushtronin këtë liri, kishin mundësi ta përdornin e ta shfrytëzonin. Sot është e vështirë dhe për ata pak që duan ta përdorin këtë liri, sepse zbulojnë që botuesi i tyre, direkt apo indirekt, është kryeministri apo edhe në rastet e rralla kur nuk është, e fut në vështirësi gazetën tënde duke bërë thirrje të mos bëhet reklamë në të. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë që kryeministri të dëbonte nga televizioni shtetëror dy gazetarë si Biaggi dhe Santoro ose një ndër komikët më të njohur si Daniele Luttazzi. Nuk kishte ndodhur kurrë që drejtorët e “Corriere della Sera” dhe “La Stampa” të hiqen, pikërisht kur Berluskoni tha publikisht se ata duhet të ndërrojnë zanat. Po flasim për dy gazeta që nuk janë të tijat, dy nga të paktat, sepse Berluskoni indirekt ka gazeta të tijat. Berluskoni, nëpërmjet edhe familjes së tij, është pronar i gazetës “Giornale”, “Il Foglio”, “Panorama”, dhe një morì revistash. Prandaj, ato gazeta që nuk i ka në pronësi, i kushtëzon nëpërmjet reklamës.

Ju mendoni se kjo është arsyeja e një mosreagimi nga ana e opinionit publik, një lloj “anestetizimi” i publikut, i cili ama në tetor doli nëpër sheshe për të mbrojtur lirinë e shtypit?

Natyrisht që ka shumë njerëz që e kuptojnë se ç’po ndodh, por mungon dikush që t’i orientoje e drejtojë e t’i japë raste për të manifestuar. Kur jepet rasti, njerëzit aktivizohen gjithmonë. Fakti që Federata e Gazetarëve vendosi të protestojë nëpër sheshe këtë vit, dëshmon një ngadalësi refleksesh, sepse këto probleme ne i kemi, që kur Berluskoni hyri në politikë, përpara 15 vjetësh. Është i vonuar një reagim 15 vjet më pas, kur fare mirë mund të ishte bërë 15 vjet më parë. Ndoshta, nëse do të kishim lëvizur me kohën, nuk do t’i kishim lejuar këtij zotërie të bënte kasaphanë me lirin e shtypit, siç ka bërë, i pashqetësuar.

Rasti i gazetarit të sulmuar në Shqipëri hapi debat në gjirin e vetë gazetarëve...

Po kjo ndodh edhe te ne. Kur një gazetar censurohet, dëbohet, paditet apo në njëfarë mënyre ndëshkohet, edhe pse te ne për fat të mirë nuk arrihet akoma në dhunë fizike, shfaqet një lloj dhune tjetër, papritur mund të dalë ndonjë shërbëtor i pushtetit që thotë: “Vetë e kërkoi”. E njëjta gjë që thuhet, kur një vajzë përdhunohet, del gjithnjë ndonjë që justifikon përdhunuesin duke thënë se vajzat vetë dalin me minifund e se e kërkojnë vetë.

Është turp që ekzistojnë persona që thonë gjëra të tilla dhe është akoma më e turpshme, kur e thonë gazetarët. Kjo do të thotë se e kanë censurën në personalitetin e tyre, madje bëjnë vetëcensurim, censurë me pilot automatik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›