Topi zyrtarizon krizën. Qeveria injoron mesazhin e protestësNga Tema Zyrtarizohet kriza politike në Shqipëri. Presidenti Topi ka deklaruar dje, i pyetur nga gazetarët, se është i gatshëm të negociojë për zgjidhjen e ngërçit të krijuar, por
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Topi zyrtarizon krizën. Qeveria injoron mesazhin e protestësNga TemaZyrtarizohet kriza politike në Shqipëri. Presidenti Topi ka deklaruar dje, i pyetur nga gazetarët, se është i gatshëm të negociojë për zgjidhjen e ngërçit të krijuar, por për këtë duhet vullneti i partive.
“Nuk është koha për të dhënë një prononcim të tillë në një eveniment si ky, ku unë kam ardhur për të respektuar. Mirëpo, për të respektuar edhe gazetarët dhe në të njëjtën kohë edhe medien, unë atë gatishmëri që kam pasur gjithmonë, vazhdoj ta kem, por çështja qëndron gjithmonë te vullneti politik i partive politike”, - i është përgjigjur Topi interesimit të medieve. Ky i fundit edhe më parë ishte shprehur se është i gatshëm që të negociojë dhe asistojë zgjidhjen e krizës politike në vend. Kjo, për më tepër tani, kur kriza duket se është bërë më evidente, pas protestës së madhe të organizuar nga opozita dhe ultimatumi që ajo i ka vënë mazhorancës për hapjen e kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Por, ndërsa kreu i shtetit ka pranuar se politika shqiptare është në një krizë, që ka nevojë për zgjidhje, ndërsa opozita demonstroi në një protestë maratonë që zgjati më shumë se 48 orë, se është e vendosur për hapjen e kutive problematike të 28 qershorit, qeveria po e injoron mesazhin. Madje kryeministri Berisha nuk u mjaftua me provokimin e protestës me përshëndetjen me dy gishta nga dritarja e zyrës se tij apo me fjalitë e përsëritura se kutitë nuk hapen, as po të çohet nga varri Enver Hoxha, dhe ky është një vendim i formës së prerë.
Këto qëndrime radikale dhe injoruese ndaj krizës politike të gjithëpranuar tashmë nga ndërkombëtarët dhe Presidenti i Republikës, nuk parathonë asgjë të mirë lidhur me zgjidhjen e saj. Kjo vjen në një kohë kur nga Brukseli kushti është përsëritur qartë disa herë: Pa gjetur rrugëdalje për bllokimin politik, shanset për integrim dhe liberalizim vizash janë të zbehta ose inekzistente.
Rama: Nëse nuk hapen kutitë, zgjedhje të parakohshme
Kreu i selisë rozë, Edi Rama, është shprehur se opozita do të kërkojë zgjedhje të parakohshme, nëse kryeministri Berisha nuk vendos që brenda 10 ditëve të hapë kutitë e votave. Sipas Ramës, opozita do të përshkallëzojë aksionin e vet politik, nëse nuk hapen kutitë. Rrjedhim i këtij aksioni, sipas tij, është rrëzimi i qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme. “Pas10 ditësh, në rast se Sali Berisha refuzon t’i hapë rrugë hetimit të plotë parlamentar të zgjedhjeve, duke filluar nga hapja e kutive, hyjmë pashmangshmërisht në një fazë të re të aksionit opozitar dhe hapja e kutive apo më saktë, mos-hapja e kutive, bëhet një arsye e mjaftueshme për popullin opozitar, që të kërkojë largimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme”, - pohoi dje kryesocialisti Rama. Sipas këtij të fundit, kjo qeveri është ilegjitime dhe përditë e më shumë po bëhet arrogante, si pasojë e këtij ilegjitimiteti. Për këtë arsye, sipas tij, kërkesa për hapjen e kutive bëhet edhe më e fortë dhe më e detyrueshme për mazhorancën. Në rast se kjo gjë nuk ndodh, për Ramën mbetet vetëm një rrugë pastaj, kërkimi i zgjedhjeve të parakohshme dhe rrëzimi i qeverisë. Kjo gjë, sipas tij, do të bëhet me anë të protestave popullore, të cilat do të jenë paqësore. Rama ka hedhur poshtë kështu pretendimet e mazhorancës se ka ndërmend që me anë të protestave të destabilizojë vendin. Sipas tij, protestat do të jenë paqësore dhe qytetare, ashtu siç ishte protesta e zhvilluar para Kryeministrisë. “Një lëvizje popullore demokratike nuk ka të bëjë as me dhunën dhe as me format e degraduara të revoltës qytetare. Ajo ka të bëjë me aspiratat, të cilat mishërohen në protesta që shprehin më së miri krizën morale të qeverisjes dhe njëkohësisht nevojat kombëtare për zgjidhjen e kësaj krize, sepse rrënimi i përditshëm moral i qeverisjes, nga një qeverisje për Shqipërinë dhe shqiptarët, në një qeverisje për të përmbushur interesa personale, familjare, klanore të një grupi njerëzish që sot kanë pushtet ilegjitim është në radhë të parë një detyrim i madh qytetar”, - tha kreu i opozitës. Rama, duke e cilësuar protestën treditore jo si fundin, por si fillimin e një aksioni, është shprehur se protestat do të vazhdojnë të shtrihen në gjithë vendin. “Ajo që dua të theksoj, dhe që duhet të kuptohet nga të gjithë, është që lëvizja e re popullore për lirinë e votës, për drejtësinë e zgjedhjeve, për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha që prodhojnë zgjedhjet e deformuara tërësisht nëpërmjet trysnisë së shtetit, është një lëvizje që nuk do të ndalet dhe vala e protestave qytetare do të përhapet në të gjithë Shqipërinë. Do të përfshijë që të gjithë, qytetarë, grupe shoqërore, parti politike, komunitete kudo ku janë, në funksion të rikthimit të legjitimitetit të parlamentit dhe qeverisë në Shqipëri”, - deklaroi Rama. Në fund të deklaratës Rama ka ironizuar edhe deklaratën e ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, i cili tha se në protestën e organizuar nga opozita morën pjesë vetëm tre mijë vetë. “Ndoshta kështu i kanë numëruar edhe votat, si kanë numëruar protestuesit e opozitës. Ky është problemi i madh që ata kanë me të vërtetën dhe problemi që rëndon dita-ditës”, - tha Rama. Ky i fundit tha se opozita nuk do të hyjë në parlament, deri sa ai të vendoset mbi themelin e legjitimitetit.
Protestave të opozitës Berisha iu përgjigjet me antimiting
Kryeministri Berisha ka vendosur që mitingut të zhvilluar nga opozita për hapjen e kutive të votave t’i përgjigjet me një antimiting. Ai ka vendosur që më datën 8 dhjetor të dalë në shesh për të festuar rënien e komunizmit ose, siç e quajti ai, “rënien e Murit të Berlinit shqiptar”. “8 dhjetori do të jetë festa e shembjes së “Murit të Berlinit”, në Tiranë. Ajo do të jetë një festë e madhe, një festë në të cilën do të marrë pjesë e gjithë Shqipëria. Do të jetë një festë për Evropën, për aspiratën tonë evropiane, e cila mori në 16 nëntor të këtij viti thirrjen e të gjitha vendeve anëtare të BE. Vendimi i 16 nëntorit është vendimi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, - deklaroi Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë ditën e djeshme. Sipas kryeministrit Berisha, axhenda e qeverisë së tij është festa, ndërsa është shprehur me ironi se synon që jehona e festave dhe sukseseve të qeverisë së tij të zgjasë deri në zgjedhjet e vitit 2013, të cilat, sipas Berishës, do të fitohen sërish nga kjo mazhorancë. “Axhenda tjetër është festë. Ne festojmë me krenari si vend anëtar i NATO-s. Kjo është festa e parë që i gjen shqiptarët dhe Shqipërinë me idealin euroatlantik të realizuar. Kështu që ky 8 dhjetor, idealin evropian, idealin euroatlantik, e gjen më të fuqishëm se kurrë në Shqipëri. Ndaj do të jetë një festë e madhe, një festë e cila synon, jo vetëm nderimin për atë që është bërë dhe për atë që është arritur, por më shumë nxisim horizontin e ri që duhet të kapim deri më 28 qershor të vitit 2013, në të cilin shqiptarët, me sa duket, do të votojnë edhe njëherë për këtë mazhorancë”, - tha Berisha gjatë fjalës së vet. Festa që do të organizohet nga ana e mazhorancës aktuale më datën 8 dhjetor bëhet në një kohë që opozita ka ndërmarrë një sërë protestash masive, me qëllim hapjen e kutive të votave. Jo vetëm kaq, por më datën 5 dhjetor, opozita pritet që të dalë sërish në shesh, këtë radhë për të drejtat e pushtetit vendor, të cilat, sipas opozitës, janë shkelur rëndë nga ana e pushtetit qendror. Përkundër kësaj, Berisha synon që më tetë dhjetor të mbushë sheshin me njerëz dhe t’i tregojë opozitës mbështetjen që ka në popull. Synimi i Berishës duket se është pikërisht ky, t’i tregojë fuqinë dhe mbështetjen kundërshtarit të tij politik, pas protestës treditore që opozita organizoi, në të cilën morën pjesë dhjetëra-mijëra qytetarë. Kështu, Berisha ka shmangur komentet për protestat e opozitës për hapjen e kutive të zgjedhjeve dhe i është përgjigjur asaj me një miting që pritet të organizojë më 8 dhjetor.