E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronarë e të përndjekur, kompensimi 4.1 miliardë

TIRANË- Kompensimi i pronarëve dhe i ish- të përndjekurve politikë është vendosur si një zë i veçantë në buxhetin e vitit të ardhshëm. Fondi i vitit 2010 për kompensimin e pronarëve është rreth dy miliardë lekë ose dy herë më i madh se ai që ishte parashikuar për këtë vit. Përafërsisht 2.1 miliardë lekë është edhe fondi për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë për çdo ditë burgu apo internimi që ata kanë bërë gjatë periudhës së diktaturës. Sipas Bodes ky fond është edhe më i madh nëse atij i shtohen edhe paratë që ishin përcaktuar për tu shpërndarë këtë vit. "Fondet për kompensimin e pronarëve dhe dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë për vitin 2010 janë respektivisht 2 dhe 2.1 miliardë lekë. Por, fondit të të përndjekurve politik i shtohen edhe pesë miliardë lekë të tjera që ishin parashikuar për këtë vit. Pra shuma totale shkon në rreth shtatë miliardë lekë por kjo nuk do të thotë që të gjitha këto para do të përdoren vetëm gjatë vitit të ardhshëm. Për sa i përket pronarëve, fondi i përcaktuar për 2009-ën pritet t'iu shpërndahet deri në fund të vitit", - tha Bode.
Fondi për vitin 2009 për kompensimin e pronarëve ishte rreth 1.1 miliardë lekë. Tre ditë më parë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave bëri publike listën me 211 emrat të cilët do të përfitojnë nga ky fond. Duke filluar që nga nesër këta të fundit duhet të paraqiten pranë zyrave të AKKP-së për të dorëzuar numrin e llogarisë në të cilin do t'iu derdhen shumat e caktuara.
Janë rreth 17 500 ish-të persekutuar ata që presin të marrin dëmshpërblimin për çdo ditë të kaluar në burg apo internim. Pas miratimit disa muaj më parë të një serë ndryshimesh të tjera në ligjin, "Për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë të regjimit komunist", kësaj liste i shtohen edhe emrat e atyre që janë cilësuar si bashkëpunëtorë të fashizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu, pjesë e këtyre ndryshimeve ishte edhe zgjerimi i rrethit të përfituesve të dëmshpërblimit për ish-të dënuarit, që, për arsye të dënimit të gjatë, nuk kanë mundur të lënë trashëgimtarë.
Sipas ndryshimeve që i janë bërë këtij ligji, për personat që nuk kanë familjarë, të tillë do të konsiderohen edhe vëllezërit, motrat dhe nipërit e tyre. Ky shtim i numrit të përfituesve, pritet të pasqyrohet edhe në buxhetet e viteve të ardhshme. Referuar ligjit, "Për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë të regjimit komunist" këta të fundit do të përfitojnë dy mijë lekë, për çdo ditë të kaluar në burg, spital psikiatrik, izolim apo hetuesi. Ndërsa për personat të cilët janë ekzekutuar, familjarët e tyre do të përfitojnë një dëmshpërblim me vlerën e kompensimit të tetë viteve burg.
Gjithashtu, të dëbuarit do të dëmshpërblehen me nga një mijë lekë për çdo ditë të kaluar në internim. Për çdo fazë dëmshpërblimi, shuma e përfituar nga të prekurit nuk mund të jetë më shumë se 1 milionë dhe më e vogël se 100 mijë lekë, duke bërë që dëmshpërblimi i plotë i ditëve të kaluar në burgje, internime dhe në çmendina, të zgjasë për disa vite me radhë. E. Senja


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›