Buxhetori milioner

TIRANË - Ish-drejtori i Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, Shkëlzen Madani, i arrestuar pak ditë më parë me akuzën e “korrupsioni pasiv”, rezulton të jetë milioner dhe jo me pak zero bile. Sipas deklaratës më të fundit të pasurisë të plotësuar nga vetë ai, rezulton se ish-drejtori i Mediut, i njohur dhe si një ndër miqtë e tij, jetonte vetëm me pagën e tij dhe të bashkëshortes, në një shumë totale më shumë se 1 milion e 500 mijë lekësh të vjetra, pasi shumën e konsiderueshme prej 130 mijë dollarësh të përfituar nga firma e inerteve që administronte ish-drejtori, rezulton e paprekur. Të paktën kështu ka deklaruar vetë Madani më datë 22 mars të këtij vitit, pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ku thotë se posedon shumën e 130 mijë dollarëve, kjo e justifikuar nga biznesi që ka bërë vite më parë me firmën turke “BeHaSE”. Sipas deklaratës së pasurisë që ka dorëzuar Shkëlzen Madani, rezulton se gjatë vitit 2007 ka përfituar shumën e konsiderueshme prej 130 mijë dollarësh, të ardhura këto nga pagesa për likuidime të prapambetura të kontratës mes firmës së tij “IN-EL-2001” dhe firmës turke “BeHaSe”. Në pikën e dytë të formularit të deklarimit të pasurisë, ku thuhet gjendje “cash” të të ardhurave Madani deklaron shumën që ai posedon, që është e njëjtë me shumën fillestare që ka përfituar nga firma e inerteve, pra 130 mijë dollarë. Duke iu referuar pagës që merrte si drejtor i Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, Madani ka deklaruar se paguhet 1 milion e 220 mijë lekë, nga të cilat i ngelen vetëm 550 mijë lekë të vjetra “cash”. Kjo shumë së bashku me pagën e bashkëshortes, që sipas deklaratës është 340 mijë lekë, rezulton të jetë e mjaftueshme për të plotësuar nevojat familjare, pasi nga shuma e 130 mijë dollarëve, Madani nuk ka prekur asnjë qindarkë, duke deklaruar se këtë sasi e disponon “cash”. Në tri fletët e deklarimit të pasurisë, ndoshta për arsye përsëritjeje të deklarimeve në vitet e mëparshme, Madani nuk ka folur në asnjë moment për shtëpinë ku jeton, apo për ndonjë automjet të mundshëm që mund të ketë në pronësi. Të vetmet të ardhura që ka deklaruar janë paga e tij, e bashkëshortes që punon si drejtoreshë kopshti, dhe një kontratë e vjetër me një firmë turke, nga e cila përfitoi 130 mijë dollarë. Por dyshimet në fakt janë se pasuria e Shkëlzen Madanit është më e madhe se kaq. Të paktën kështu dyshon edhe organi i akuzës, që kërkoi arrestimin e Madanit, pasi dyshohet se ish-drejtori ka përfituar shumë të konsiderueshme të hollash, duke lëshuar të paktën 12 leje të paligjshme për menaxhimin e materialeve ushtarake për përdorim civil.
Kontrata me “BeHaSE”
Firma “IN-EL-2001” me administrator Shkëlzen Madanin, rezulton të jetë një subjekt që operon kryesisht në fushën e inerteve. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit, rezulton se subjekti “IN-EL-2001” ka shfrytëzuar në afërsi të fshatit Letan një shesh me sipërfaqe 0.033 km2 dhe me rezerva 769,072 m3. Sipas raportit, objektivi kryesor i kësaj firme ishte shfrytëzimi i terrenit me përbërje gëlqerore, nga ku nxirrte materiale që shërbejnë kryesisht për prodhimin e lëndëve të ndryshme, që përdoren si bazë në fushën e ndërtimeve. Në veprimtarinë e firmës së tij, Madani ka pasur dhe një bashkëpunim me firmën turke “BeHaSe”, e cila që nga vitit 1999 ka nisur një sërë punimesh në zonën e Elbasanit.