Ministrat orvaten të prishin dietën

Ministrat e kabinetit “Berisha” shtojnë kërkesat për fonde në shpërblime dhe paga. Pavarësisht përpjekjeve për një qeveri në dietë, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango dhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i kërkojnë Këshillit të Ministrave fonde për shpërblim të punonjësve. Kërkesat e fundit kanë revoltuar së tepërmi ministrin e Financave, Ridvan Boden, i cili i ka cilësuar ato të pajustifikueshme nga pikëpamja ligjore. Në dy shkresa zyrtare dërguar ministrave përkatës, kreu i Financave, Ridvan Bode, nuk ka pranuar të rriten shpenzimet për shpërblimin e anëtarëve të Komitetit të Trashëgimisë Kulturore dhe për pagim të punonjësve të policisë për ruajtjen e Institutit të Fizikës Bërthamore. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, kërkon shpërblim prej 5000 lekësh të reja për çdo mbledhje për 7 anëtarët e Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Burime qeveritare thanë për gazetën “Korrieri”, se kjo kërkesë e ministrit, e paraqitur nëpërmjet një projektvendimi, nuk është mbështetur nga dikasteri i Financave. Duke iu referuar të njëjtave burime nëpërmjet një shkrese zyrtare që ministri i Financave, Ridvan Bode, i ka dërguar ministrit të Kulturës, Ylli Pangos, argumenton se kërkesa e tij nuk është e justifikueshme nga pikëpamja ligjore dhe se anëtarët e këtij komuniteti, duke qenë se janë pjesë e departamenteve të Ministrisë së Kulturës, duhet të kryejnë këto detyra pa pagesë. Shprehimisht, ministri i Financave, Bode, në shkresën dërguar ministrit të Kulturës, Pangos, thotë se: “Duke marrë në konsideratë se vetë ligji i cili ka ngritur Komunitetin e Trashëgimisë Kulturore nuk i delegon të drejtën Këshillit të Ministrave për ngritjen e komunitetit dhe përcaktimin e shpërblimit për anëtarët e tij, mendojmë që përmbajtja e projektit të paraqitur nuk justifikohet nga pikëpamja ligjore. Meqenëse detyrat e specifikuara në këtë projekt janë pjesë e detyrave funksionale të departamenteve të ministrisë apo institucioneve në varësi të saj, anëtarët përfaqësues të tyre në këtë komunitet do të kryejnë këto detyra pa pagesë”, argumenton ministri Bode. Nga ana e tij, ministri i Kulturës, Pango, ka insistuar në dhënien e shpërblimit të anëtarëve, pasi veprimtaria e këtij komuniteti është mjaft i rëndësishëm në nxitjen dhe dialogun e komunikimit për trashëgiminë jomateriale shpirtërore në vend. Kurse kreu i Ministrisë së Brendshme, Bujar Nishani, ka kërkuar që mjediset e Qendrës së Fizikës Bërthamore të ruhen nga Policia e Shtetit, për shkak të rëndësisë që përfaqëson ky institucion në sigurinë e materialeve radioaktive dhe terrorizmit bërthamor. Pra, në këtë mënyrë, ministri Nishani ka kërkuar që ky institucion të përfshihet në listën e objekteve që ruhen nga Policia e Shtetit. Por edhe kjo kërkesë është kundërshtuar nga ministri i Financave, Ridvan Bode. Në shkresën zyrtare që ky i fundit i ka dërguar ministrit të Brendshëm, kërkon që zbatimin e këtij projektvendimi të kryhet me efektet përkatëse financiere dhe fondet do të përballohen nga ato. Sugjerimi i ministrit të Financave, Bode, nuk është reflektuar në projektvendimin e Ministrisë së Brendshme, pasi nuk ka efekte financiare shtesë. Kjo shpjegohet me faktin që projektvendimi kërkon thjesht shtimin e objekteve në listën që do të ruhen nga Policia e Shtetit, kurse fondet do të përballohen nga ato që janë dhënë për Policinë e Shtetit.
Kërkesa e Pangos për shpërblim
Ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, kërkon fonde shtesë për dhënie shpërblimi prej 5000 lekësh të reja për anëtarët e Komitetit të Trashëgimisë Kulturore për çdo mbledhje që do të organizohet. Shtatë anëtarët e këtij komuniteti janë zyrtarë të departamenteve përgjegjës të ministrisë.
Argumentet e Bodes
“Përmbajtja e projektit të paraqitur nuk justifikohet nga pikëpamja ligjore. Meqenëse detyrat e specifikuara në këtë projekt janë pjesë e detyrave funksionale të departamenteve të ministrisë apo institucioneve në varësi të saj, anëtarët përfaqësues të tyre në këtë komunitet do të kryejnë këto detyra pa pagesë”.
Nishani kërkon Institutin e Fizikës Bërthamore
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka kërkuar që mjediset e Qendrës së Fizikës Bërthamore të ruhen nga Policia e Shtetit, për shkak të rëndësisë që përfaqëson ky institucion në sigurinë e materialeve radioaktive dhe terrorizmit bërthamor. Sugjerimi i ministrit të Financave, Ridvan Bode, nuk është reflektuar në projektvendimin e Ministrisë së Brendshme, pasi për zbatimin e tij nuk ka efekte financiare shtesë. Kjo shpjegohet me faktin që projektvendimi kërkon thjesht shtimin e objekteve në listën që do të ruhen nga Policia e Shtetit, kurse fondet do të përballohen nga ato që janë dhënë për Policinë e Shtetit.
Kërkesa e ministrit Nishani është kundërshtuar nga ministri i Financave, Ridvan Bode. Në shkresën zyrtare që ky i fundit i ka dërguar ministrit të Brendshëm, kërkon që për zbatimin e këtij projektvendimi, të përcaktohen efektet përkatëse financiere dhe fondet nga do të përballohen ato.