E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olta Boka: Ne Serbi, si ne shtepi

Nervozizmi dhe emocionet e mia mendoj se ishin të justifikueshme, në një moment kur unë isha në skenën evropiane, përpara një publiku internacional. Sa më shumë prova që të bëj, aq më tepër siguri do të fitoj në vetvete.

“Nervozizmi dhe emocionet e mia mendoj se ishin të justifikueshme, në një moment kur unë isha në skenën evropiane, përpara një publiku internacional. Sa më shumë prova që të bëj, aq më tepër siguri do të fitoj në vetvete”, kështu u shpreh Olta Boka, vetëm një ditë pasi kishte provuar të këndonte “Zemrën lamë peng” (We gambled our hearts) në Beograd.

Këngëtarja më e vogël e gjithë atij festivali është pritur me shumë dashamirësi nga mediat vendase, kjo për shkak të moshës dhe të mënyrës sesi ajo ka folur gjatë konferencës për shtyp. Por për Oltën kjo nuk mund të përkthehej në keqardhje, pasi vjen nga një vend me të cilin dihen marrëdhëniet politike me shtetin e Serbisë. “Këtu jam ndjerë si në shtëpinë time, kam pasur përkrahje nga të gjitha strukturat e festivalit dhe nuk e ndjej aspak frymën politike, pasi arti nuk mund të ngatërrohet me kësi gjërash. Unë jam e bindur që komente do të ketë pafund, si nga ato me karakter pozitiv, ashtu dhe me karakter negativ. Për mua e rëndësishme është që të përfaqësojë sa më denjësisht vendin tim, që më besoi një sfidë të kësaj natyre”, vijon ajo, duke mos e fshehur idenë se beson tek fati, më shumë sesa tek festivali. “Unë do të bëj maksimumin që kënga ime të vlerësohet sa më mirë. Por e kam të vështirë të besoj në një klasifikim të mirë, e jo më në çmimin e madh. Konkurrenca është tejet e fortë, janë të gjithë profesionistë që përfaqësojnë shtetet e tyre dhe sfida që më pret është e jashtëzakonshme”, shton Olta.

Në komentet e publikuara në websitin zyrtar të “Eurovizionit”, i është mëshuar goxha veshjes skenike aspak të përshtatshme, që ata e kanë krahasuar me një uniformë shkolle. Kostumi i zi i Oltës dhe këmishët e bardha të dy kitaristëve dhe bateristit u janë dukur të huajve si një kontrast aspak i pranueshëm për një skenë të atij niveli. Gent Myftaraj, njëri prej kitaristëve që shoqëron këngëtaren në Beograd, duket se nuk ndan të njëjtin mendim në këtë pikë. “Mediat si gjithmonë kanë ndikimin e tyre tek vlerësimi i çdo këngëtari që konkurron në këtë festival. Nuk mendoj se ne kemi një veshje të keqe, pasi është punuar nga një stiliste vërtet e mirë. Ndërthurja e së bardhës me të zezën krijon një kontrast të lezetshëm, që u shkon të dyja palëve”, pohon kitaristi.

Sa i përket faktit se organizatorët e “Eurovizionit” kanë kërkuar përkthimin e këngës në gjuhën serbe, Genti tregon se kjo është e pamundur që të realizohet në një periudhë të shkurtër kohore, kur vetëm pak ditë i ndajnë nga nata finale. “Të kënduarit në anglisht i Oltës, i ka impresionuar të gjithë të pranishmit në sallë, aq sa gjatë konferencës për shtyp ata janë mahnitur nga rrjedhshmëria e të folurit të këngëtares, kështu që unë nuk e gjej dot ku është problemi”, thotë Myftaraj. Përfaqësuesja shqiptare do të këndojë përpara publikut ndërkombëtar, më datë 22 maj, në gjysmëfinalen e dytë të festivalit, duke shpresuar tek fati, për një vlerësim pozitiv të “Zemrën lamë peng”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›