E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buzëqeshja e jetës false

Ne përjetojmë momentalisht një kaos etik: nga servilizmi, shpirti mediokër e deri te palaçoja, që karrigen e konsideron dhuratë të perëndisë, si dhe institucionin trambulinë karriere. Brezat që vijnë do revoltohen me sjelljet e baballarëve të tyre, sa grykës e të mjerë i paskan pasur. Pranuan një realitet që nuk i nderon dhe pak u dëgjuan në të mirë të çështjes kombëtare. Nga iluzionet dhe imitimi fals i të jetuarit do të kërkojnë të lirohen. Ky shqetësim është i pranishëm në të gjitha fushat e arteve. Por kohëve të fundit ma ka ënda t’i shikoj më tepër instalacionet e performancat e krijuesve të artit pamor, që trokasin për të ndërruar çdo gjë nga përjetimi i lirisë e deri te krijimi i njëfarë besueshmërie, se ne jemi ata që do ta sjellim rrotën e historisë dhe si ne nuk ka. (!)

Shpesh kaloj pranë një studioje të një të riut, i cili mbështet artin konceptual dhe inkuadron në instalacionet e tij imagjinatën më se të çuditshme. Mllefi ndaj realitetit sa vjen e bëhet më i rëndë. Dikush, do i konsiderojë veprat e këtyre të rinjve si diçka jo normale. Njëri nga këta të pakënaqur është dhe Zeni Ballazhi, i cili këqyr punën e vet. Kohë më parë, instalacioni i tij me pagëzimin “Missi”, një alegori rrënuese, më kishte shtyrë të ndalem shpesh para saj. Mesazhi i dhënë përmes një kafke kau me një kurorë mbretërore, në një sfond të zi në të bardhën e një muri, nuk do kurrfarë komenti; mjafton leximi i kontrasteve dhe pamja e trishtë e kafkës së kaut nën shkëlqimin e rremë të kurorës.

Me këtë rast duhet të veçoj edhe një instalacion tjetër të pagëzuar “Pa titull”, e që më kthen në vitin biblik 1999, ku të dëshpëruarit nga Kosova në kampet strehuese mbi tenda kishin vënë edhe nga një flamur kombëtar. Edhe pse të dëshpëruar nuk pranonin të çonin dorë nga identiteti i tyre. Me atë copë flamur ua bënin me dije evropianëve se kush janë e nga vijnë. Instalacioni quhet “Shqiptarët në Ballkan apo Ballkani në Evropë”. Vërtet një çështje hamletiane: Evropa do të vazhdojë t’i përdorë trojet shqiptare për kusuritje apo Ballkani do të vijë në Evropë pa shqiptarë, prandaj bijve të shqipeve nuk u mbetet gjë tjetër pos të fillojnë edhe një maratonë që t’i bindin kancelaritë se janë të denjë për atë që e kërkojnë. Nuk dua të flas edhe për disa instalacione të tjera po ashtu të pagëzuara “Pa titull”, e që janë mjaft kritike ndaj realitetit të sotëm shqiptar, i cili kërkon katarsis në të dyja anët e Drinit, nëse duam të jemi ata që kërkojmë të jemi.

Zeni është njëri nga artistët pamorë, që inkurajon dhe i cili na tregoi misterin e të jetuarit fals, që nuk ia vlen as buzëqeshja.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›