E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ne, grindemi për Fjalorin

Entuziazmit se më në fund do kemi një Fjalor Enciklopedik jashtë demagogjisë ideologjike i janë shkurtuar ditët. Prej dhjetë vitesh që është në proces përfundimi, Fjalori ka rënë pre e grindjes së bizneseve dhe tenderave. Ishte parashikuar të botohej vjet. Edhe sivjet! Por, dje kryetari i ri i Akademisë së Shkencave, Teki Biçoku, tha se nuk dihet me saktësi se kur do të dalë në treg. “Është një problem i tenderave. E kemi bërë disa herë tenderin po ankohen palët, se nuk është kryer me saktësi. Ne ia kishim dhënë tenderin njërit që na afronte më pak lekë për botimin. Por u kundërshtua nga pala tjetër”, - ka mundur të na sqarojë kreu i shkencave, pasi u desh ta kërkonim me zë të lartë përgjigjen. Janë dhjetë milionë lekë të reja, sipas preventivit, që do të hidhen për botimin e Fjalorit Enciklopedik. Por, kaq para akademia nuk i ka aktualisht, saqë një ditë më parë, në komisionin parlamentar që dëgjon problemet e kulturës dhe arsimit, Biçoku ka kërkuar me modesti t’i jepeshin edhe katër milionë lekë për t’i dhënë fund botimin të Fjalorit.

Këtë madje e ka cilësuar si një nga prioritetet që ka Akademia e Shkencave për vitin 2009. Që siç duket, meqë është e shkëputur nga institutet, është parë më shumë si “gjynah” nga njerëzit e Komisionit Parlamentar për Çështje të Edukimit, dhe jo si një nga ngjarjet më të rëndësishme në fushën e botimeve, së cilës i duhet dhënë vëmendje e posaçme. Mentaliteti është vështirë për t’u ndryshuar, meqë një nga anëtarët e komisionit, Diana Çuli, e ka parë si modeste këtë shumë, pa pyetur për rëndësinë, që të paktën të dalë nga tregu Fjalori ynë i vjetër, që mban vitin 1985 kur u hartua.

I gjendur në fazën e tenderimit, Fjalori i ri Enciklopedik është drejtuar nga gjuhëtari Emil Lafe, ku përfshihen 7.500 zëra, me diferencë prej 2.500 zërash më shumë se fjalori i vitit 1985. Biçoku thotë se është një punë e madhe në rreth 21 redaksi, ku kanë punuar mbi 1.100 hartues, në të cilën janë zbatuar kritere krejtësisht të ndryshme nga hartimi i fjalorit të vitit 1985.

Personalitetet që kanë dhënë kontribut dhe kanë luajtur rolin e tyre në histori janë përfshirë në fjalor, ku gjithashtu përfshin gjithë hapësirën shqiptare të personaliteteve. Pas 21 vjetësh, Shqipëria do të ketë një Fjalor Enciklopedik krejtësisht të rinovuar, por kjo e parashikuar tani për vitin 2009, dhe pasi të jenë zgjidhur çështjet e tenderimit.

V.Murati

Poezia shqipe në botë

Nën kujdesin e Robert Elsie dhe Mathie-Heck u botua në Evanston, Illinois, 2008, “Antologjia e gjuhës shqipe”, ku janë prezantuar mbi 50 poetë nga të gjitha gjeneratat krijuese. Vlen të themi se pas antologjisë së poezisë shqipe në gjuhën frënge nga Aleksandër Zotos, si dhe Antologjisë së poezisë bashkëkohore të Bashkim Kuçukut në botim të “Onufrit”, 2008, poezia shqipe ka zënë të prezantohet në mënyrën më dinjitoze.

Antologjisë së Elsies i prin një parathënie e detajuar mbi poezinë shqipe. Hapet me poezitë orale, për të vazhduar me poezinë e vjetër shqipe ku prezantohen: Pjetër Budi, Lekë Matranga, Pjetër Bogdani dhe për të vijuar me poezinë e bejtaxhinjve: Nezim Frakulla, Muçi Zade, Hasan Zyko Kamberi. Vend dominant i jepet poezisë arbëreshe: Nikolla Keta, Vari Boba, De Rada dhe Zef Serembe. Nga rilindja kombëtare janë prezantuar poetët: Pashko Vasa, Naim Frashëri, Anton Zako Çajupi, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Asdreni, Fan Noli, Lasgush Poradeci, Sejfullah Malëshova, Mitrush Kuteli, Migjeni, Esat Mekuli, Arshi Pipa, pastaj vijnë poetët bashkëkohorë: Zef Zorba, Martin Camaj, Kasem Trebeshina, Fatos Arapi, Dritro Agolli, Din Mehmeti, Mihajl Hanxhari, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Xhevahir Spahiu, Eqrem Basha, Sabri Hamiti, Visar Zhiti, Mario Bellizzi, Abdullah Konushevci, Besnik Mustafaj, Basri Çapriqi, Mimoza Ahmeti, Flutra Açka, Arian Leka, Agron Tufa, Luljeta Lleshanaku, Lindita Arapi, Parid Teferiqi, Romeo Çollaku dhe Ervin Hatibi. Në fund janë dhënë dhe shënime për autorët e prezantuar, për të cilët përpiluesit kanë bërë një punë të madhe në afirmimin e poezisë shqipe në një gjuhë botërore mu në kohën më të vështirë të ecjeve shqiptare. Për titull të antologjisë është vënë një varg nga Lasgush Poradeci: Së fundi i ujit vetëtin.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›