E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bylis, një rrugë për të vizituar kryevendin!

Për të shkuar në parkun arkeologjik të "Bylisit" që ndodhet rreth 10 km larg nga qendra e qytetit të vogël të Ballshit duhet të përshkosh një rrugë më dredhake gjithë gropa dhe me çakëll. Vetëm një tabelë treguese ekziston në rrugën nacionale Ballsh-Tepelenë, e cila të shpjegon me shigjetë kthinën që duhet të marrësh për t‘u drejtuar për në Bylis. Automjeti e ka disi të vështirë të përshkojë këtë rrugë nga tabela deri në park. Pasi kalon disa kthesa të duhet të përshkosh tri lagje të fshatit Hekal. Në qendër të fshatit ndodhet godina e komunës, si dhe memoriali i heroit të kësaj zone, Rrapo Hekalit. Memoriali qëndron mes dy flamujve që valëviten prej erës, e cila fryn thuajse përherë në këtë zonë që konsiderohet si një ballkon i madh i nisjes së fushës së Myzeqesë. Prej qendrës së fshatit deri në Bylis në të djathtë shikon rrjedhën e lumit Vjosë, që në largësi të duket sikur bashkohet me qiellin dhe me fushën e Myzeqesë. Pak metra para portikut kryesor të parkut, i cili vitet e fundit është bërë me portë të madhe me kangjella dhe me mur rrethues rruga nis të përmirësohet. Asfalti e bën më të thjeshtë atë pak rrugë që mbetet për të shkuar deri në qytetin antik. Edhe pemët e reja, që janë mbjellë dy vitet e fundit kanë nisur të gjelbërojnë. Po të kujdesen mirë, do të jenë gjatë aty. Pak njerëz takon gjatë rrugës. Kjo zonë nuk është shumë e populluar, ose më mirë, është braktisur prej banorëve. Një pjesë e mirë e tyre janë larguar në emigracion e një pjesë tjetër janë zhvendosur në Ballsh, ose në Fier, dhe ato pak familje që kanë mbetur kanë nisur të investojnë për shtëpitë e tyre. Këto kanë humbur tashmë origjinalitetin e viteve të kaluara, kur kishin mure guri, si dhe oda me shërbim tradicional. Tashmë shtëpitë e Hekalit dhe të lagjeve të tij, ndrijnë nga ngjyrat e reja. Në të gjithë fshatin Hekal, vetëm tri familje vijojnë të ruajnë traditën e dikurshme, kurse pjesa më e madhe e banorëve kanë nisur të "modernizohen". Fëmijët e vegjël dinë vlerën historike që kanë pranë, por nuk të shpjegojnë veçori të saj. Kurse më të mëdhenjtë në moshë, ose të flasin për fakte historike të dëgjuara prej paraardhësve të tyre, ose e lidhin Bylisin me një vend të shenjtë që ndodhet brenda territorit të parkut. Thonë se më 22 mars, banorë të Mallakastrës dhe më gjerë i drejtohen këtij vendit për të bërë kurban për besimin e tyre bektashian.

Bylisi, për nga vlerat që mbart, njihet më shumë nga historianët, arkeologët dhe nga ata që janë të lidhur shumë me literaturën historike. Kurse një pjesë e mirë e njerëzve që kanë vizituar atë, shprehin mbresat që i ka lënë një vend i tillë me mjaft zhvillim të hershëm. Pozicioni i parkut dhe vlerat që ai mbart lënë emocione të papërsëritshme. Objektet e zbuluara janë rrethuar me gardh me tela dhe portat hyrëse të tyre që mbahen me dryna. Tabelat shpjeguese të objekteve të zbuluara nuk mungojnë, edhe pse e kanë humbur disi ngjyrën për shkak të shiut e diellit. E megjithatë, ato janë "ciceronët" elementarë të zbulimeve në Bylis.

Vizitorët

Parku kombëtar arkeologjik i "Bylisit" mbetet një nga vendet turistike më të lakmuara nga turistët vendas e të huaj. Ai vlerësohet jo vetëm për zbulimet arkeologjike, por edhe për pozicionin interesant në të cilin shtrihet. Mallakastriotët, me të drejtë krenohen me këtë bukuri të antikitetit. Por kaq nuk mjafton për ta bërë interesant dhe të vizitueshëm. Drejtues të parkut të Bylisit pohojnë se me gjithë përpjekjet për të promovuar këtë vlerë arkeologjike, historike, njëkohësisht edhe turistike, sërish numri i vizitorëve nuk është ai i dëshirueshmi. Madje, edhe në krahasim me vitin e kaluar, gjatë këtij viti, sipas drejtuesve të parkut, është shënuar rënie e numrit të turistëve qofshin këta vendas apo të huaj. Gjithashtu, ata kërkojnë edhe fonde për zbulime të tjera, pasi nga deri tani është zbuluar vetëm një pjesë e vogël e qytetit antik. Rruga është ndoshta faktori kryesor që i largon turistët. Pohimi vjen edhe nga Bashkim Vreka, drejtor i Parkut Kombëtar Arkeologjik të Bylisit. Sipas tij, infrastruktura e rënduar ka larguar së tepërmi turistët. "Gjatë vitit të kaluar ka pasur më shumë turistë se këtë vit. Shifrat e mbajtura në mënyrë sistematike nga specialistët e parkut tregojnë se ka rënie të numrit të turistëve. Kjo ka lidhje direkte me rrugën e prishur, e cila po bën kohë pa u rikonstruktuar. Shkatërrimi i saj është ngritur si shqetësim jo vetëm prej nesh, por edhe nga vetë turistët që kanë mbetur të mahnitur nga Bylisi. Por nuk kanë premtuar të kthehen, rruga e prishur u kthehet në një siklet që nuk duan ta kalojnë prapë", thotë drejtori Vreka. Kërkesa të vazhdueshme i janë bërë Komunës së Hekalit, ku bën pjesë administrativisht parku i Bylisit, për ndërtimin e një rruge, apo përmirësimin e asaj ekzistuese, madje deri në këshillin e qarkut e në Prefekturën e Fierit kanë shkuar këto kërkesa por deri tani asnjë ndryshim për infrastrukturën edhe pse ekziston një strategji e zhvillimit të turizmit.

Ekspeditat

Gjatë vitit 2009, vetëm një ekspeditë ka punuar në Parkun Arkeologjik të Bylisit. Kanë qenë arkeologët francezë dhe ata shqiptarë që kanë vijuar gërmimet e një viti më parë e që pas përfundimit të ekspeditës kanë kryer konservimin e objekteve dhe janë larguar për t‘u rikthyer sërish vitin e ardhshëm. "Ekspedita shqiptaro-franceze, e cila vazhdon prej 10 vjetësh të gërmojë në qytetin antik të Bylisit, edhe këtë vit vazhdoi gërmimet pothuajse në të njëjtat monumente të vitit të kaluar në kompleksin peshkopal, ose siç quhet ndryshe, në katedralen e qytetit. Ky objekt shumë ambiente ndihmëse, mes tyre edhe punishte vere, zbulimi i së cilës vazhdon ende. Këtë vit është zbuluar një vaskë e tretë për përgatitjen e verës. Gjithashtu, u vazhduan gërmimet edhe në monumentin e Terencianit, i cili është zbuluar po ashtu vitin e kaluar. Ky objekt u zbulua dhe u gërmua pjesërisht. U bë një ndërhyrje shumë e vogël në sterën antike. Nga kjo pikëpamje, gërmimet janë në vazhdim, por me këto ritme kuptohet se rezultatet nuk janë ato që priten, për arsye se Bylisi është një qytet që meriton një ritëm më të madh kërkimesh arkeologjike dhe ndoshta nga kjo pikëpamje duhet parë edhe strategjia që kanë autorët respektivë të gërmimit, arkeologët shqiptarë dhe francezë, por edhe mundësi për ndërhyrje të tjera, sepse nuk mund të pranohet ky ritëm kaq i ulët për gërmimet, ndërkohë që monumentet nuk mungojnë. Nuk është normale që një monument të zbulohet për 3 ose 4 vjet, kur mund të zbulohet për dy fushata. Veç kësaj, edhe fakti që ata ndihen ende të pasigurt për perspektivën e gërmimit na bëjnë që në bashkëpunim edhe me Institutin Arkeologjik të gjejmë mundësinë edhe të intensifikimit, apo dhe të hapjes së misioneve të tjera", vijon drejtori Bashkim Vreka, duke folur për ekspeditën e fundit të zhvilluar gjatë këtij viti në Bylis.

Veprimtaritë

Jo vetëm Butrinti e Apolonia, kohët e fundit edhe qyteti antik i Bylisit është hapur për veprimtaritë kulturore. Gjatë këtij viti, parku ka shërbyer si vend ku janë zhvilluar mjaft aktivitete artistike siç ishte edhe "Sofra Ilirie". Një ditë e këtij aktiviteti zhvillohet në Bylis dhe gjatë saj jo vetëm koncerte edhe me muzikë klasike, por edhe ekspozita pikture ka ndodhur të "prishin" heshtjen që karakterizon këtë park, tek i cili fërshëllima e erës fluturon drejt luginës së Vjosës, që konsiderohet si një kornizë natyrore e panoramës së qytetit antik.

Historia

Bylisi ka qenë qyteti më i madh ilir në Ilirinë e Jugut dhe ka një pozitë zotëruese mbi kodrat e Mallakastrës. Emri i tij përmendet relativisht vonë nga kronikat e kohës, në fillim del në trajtën Bylis në ngjarjet e viteve 49-48 p.Kr., kur iu dorëzua Cezarit dhe shërbeu si bazë për furnizimin e ushtrisë së tij. Burimi më i hershëm për Bylisin është gjeografi grek Pseudo-Skylaksi 380 p.Kr. i cili shkruante: "Orikët banojnë në krahinën e Amantisë, amantët që shtrihen deri këtu janë ilirë nga bylinët", duke lënë të kuptohet se lidhja midis amantëve dhe bylinëve shpreh një bashkësi politike. Stefan Bizantini ka thënë se themeluesi mitologjik i Bylisit është Neoptolemi, biri i Akilit, pasi dhe fqinjët e tyre amantët e kishin prejardhjen nga abantet eubeas që erdhën pas luftës së Trojës. Bylisi është themeluar në gjysmën e parë të shek IV p.e.s. Ai ka njohur edhe sundime që nga koha e krijimit të tij e deri më sot. Në 385 p.Kr. krahina byline ishte nën sundimin e mbretit ilir Bardhyl. Në 314 p.kr. kjo krahinë u pushtua nga mbreti maqedonas, Kasandri. Pas largimit të Kasandrit duket se territori bylin ishte në varësinë e mbretit Ilir Glaukia dhe të paraardhësit të tij, Monun, i cili kishte rezidencën e vet në qytetin ilir në Gurzezë (Cakran) dhe rrjedhimisht pranë Bylisit. Në një periudhë të shkurtër, qyteti ka qenë nën pushtetin e Pirros së Epirit dhe ndofta edhe djalit të tij, Aleksandrit. Pas viti 270 p.Kr. qyteti dhe krahina përqark mund të kenë kaluar nën sundimin e mbretit ilir, Mytil. Në 229 p.Kr kemi zbarkimin e trupave romake në Apoloni dhe lidhjen e aleancës mes Atintanias dhe romakëve kundër mbretëreshës ilire, Teutës, e më pas kundër Mbretit ilir, Gentit, në 168 p.Kr. Kjo aleancë vazhdon deri në shndërrimin e Bylisit në një koloni romake në kohën e Augustit. Bylisi ka një shtirje të gjerë me qendër Bylisin ku përreth tij ishin një sërë qytetesh të tjera antike si: Nikaja (pranë fshatit të sotëm Klos), Gurëzeza pranë Cakranit, Margelliç, pranë Patosit, Rabije e Kalivaç në territorin e Tepelenës që përbënin dhe kufirin lindor të kësaj bashkësie qytetesh. Gjatë dyndjeve barbare, Bylisi u shkatërrua nga vizigotët në kohën e sundimit të Teodosit II (408-450) ai filloi të rindërtohej. Gjatë gjysmës së parë të shek. V u ngritën një numër relativisht i madh kishash (deri tani janë zbuluar pesë të tilla) si brenda dhe jashtë murit rrethues, duke e shndërruar Bylisin në një nga qytetet me një trashëgimi të madhe monumentesh paleokristiane. Edhe pse qyteti u rindërtua dhe fortifikua nga gjysma e dytë e shek.VI m.Kr. ai pati periudhën e tij të rënies, dhe në 586 dyndjet sllave bënë që ai të shkatërrohej gjë që solli dhe fillimin e braktisjes së tij. Qendra e peshkopatës u vendos në Ballsh dhe kjo qendër trashëgoi emrin e qytetit të vjetër, i cili gjatë shekujve u transformua nga Bylis në Ballis dhe së fundi në Ballsh. Sot bari dhe shkurre të tjera mbulojnë një pjesë të mirë të territorit të parkut. Nga këto barëra janë mbajtur larg vetëm vendet e zbuluara tashmë. Punonjësit e parkut kujdesen gjithmonë të ruajnë territoret e zbuluara. Por me fondet e pakta që ka në dispozicion ky park është e pamundur mbajtja në kushte të favorshme e të gjithë territorit që kalon të disa hektarë. Me gjithë pengesat e vogla që vijnë nga rruga, shkurret, apo dhe nga ndonjë burokraci tjetër, sërish Bylisi mbetet një vend ku mund të gjesh një pjesë të historisë së zonës dhe të vendit. Nëse e krahasojmë me Apoloninë, Butrintin ose Durrësin, Bylisi nga numri i monumenteve të gërmuara dhe nga gjendja e ruajtjes së tyre zë vendin e parë. Bylisi është zbuluar në fillim të shekullit të XIX nga një udhëtar anglez dhe më pas i tërhoqi vëmendjen e shumë historianëve studiuesve vendas dhe të huaj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›