Bylisi, “Superior” që tani…

Shenjat ishin shfaqur që në fillim, por tanimë gjithçka ka marrë një trajtë më të qartë dhe beteja në gjysmën e sipërme të nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategorisë së Parë, po shndërrohet në një mision për të ndalur Bylisin. Skuadra ballshiote, e cila ra sezonin e shkuar nga Kategoria Superiore, ka dëshmuar se mbetet skuadra për t’u mundur në këto 17 javë të para, duke u arratisur, në kuptimin e vërtetë të fjalës.
Ekipi i drejtuar nga trajneri shqiptar nga Maqedonia e Veriut, 39-vjeçari Jeton Beqiri, ka lëshuar vetëm 7 pikë, duke fituar 44 nga 51 të mundshmet në këto 17 ndeshje, një shifër mbresëlënëse po të marrësh parasysh që kryesuesja e Kategorisë Superiore, Tirana, ka lëshuar dyfishin, pra, 14, pasi grumbulluar 40 pikë, nga 54 të mundshme në 18 javë kampionat. Sulmi i Bylisit mund të jetë i dyti në kampionat, me 27 gola, 5 më pak sesa Erzeni i vendit të dytë, por ama ka qenë rezultativ, pasi i ka siguruar skuadrës 14 fitore, si askush tjetër në Kategorinë e Parë.
Sigurisht, ajo që ka bërë dallimin ka qenë mbrojtja, e cila, me vetëm 4 gola të pësuar në 17 ndeshje, ka qenë praktikisht e hekurt, teksa Bylisi ka pësuar vetëm një humbje, atë 0-2 në Peqin përballë Shkumbinit më 24 nëntor të vitit të shkuar, ndërsa është ndalur edhe në barazime, të dyja pa gola, në Sarandë përballë Butrintit dhe në Pukë përballë Tërbunit. E gjithë kjo ka bërë që Erzeni i vendit të dytë ta harrojë ndjekjen e ballshiotëve dhe të kërkojë të ruajë vendin e dytë të renditjes, që është bileta tjetër për ngjitjen në Superiore.
Në fakt, shijakasit, që kanë 36 pikë, po sfidohen për vendin e dytë nga Korabi, që ka 4 pikë më pak, por ka luajtur një ndeshje më pak, ndërsa Tomori e Apolonia, me nga 26 pikë, Burreli e Tërbuni, me nga 25 dhe Besa me 24 pikë, duket se janë dorëzuar në betejën për ngjitjen një nivel më lart. Ndërkaq, në krahun tjetër të renditjes, ardhja e trajnerit Agim Canaj duket se e ka ringjallur Lushnjën, që ka dalë nga zona e ftohtë e rënies nga Kategoria, teksa mban vendin e 10-të.
Por Maliqi, Turbina e Cërrikit dhe Vora duken gjithnjë e më tepër kandidat për të rënë në Kategorinë e Dytë, ndërsa për ta shmangur rënien direkte, por edhe zonën e “play-out”-it, janë përfshirë në një betejë të drejtpërdrejt Butrinti, Pogradeci, por edhe Shkumbini, që ka rrëshkitur frikshëm, pas 5 humbjeve radhazi. Megjithatë, me të paktën 39 pikë të mbetura në lojë në 13 javët e mbetura, gjithçka mund të ndodhë.