Bylisi feston me humbje

Bylis kampion i Kategorisë së Parë dhe Besa siguron qëndrimin në këtë kategori pa patur nevojë të luhet në Play-out. Ky ishte fati i ndeshjes së luajtur në “Adush Muça”, atje ku kavajasit, si “zotër të shtëpisë”, kanë fituar 3-2 ndaj Bylisit. Një humbje që nuk e prish festën e titullit kampion të ballshiotëve, ndërsa për Bylisin kanë shënuar Qardaku në të 14’ dhe në të 22’. Kavajasit kanë përmbysur me Hysenin në të 39’, Hoxhën në të 55’ dhe Meçen në të 68’. Ndërkohë Erzeni e ka mbyllur sezonin me fitoren minimale 1-0 ndaj Besëlidhjes, atje ku dhe lezhjanët tashmë janë të qetë në qëndrimin e tyre në Kategorinë e Parë.
Sikurse Lushnja, që ka fituar në transfertën peqinase 3-0. Në të njëjtën kohë Korabi, që është mundur 0-2 nga Tërbuni, Apolonia, e cila ka fituar 6-1 me Vorën, Tomori, i cili ka barazuar 1-1 me Pogradecin do të jenë në Play-off fituesja e të cilit do të ndeshet me të tetën e Kategorisë Superiore për të shpresuar për një vend në elitën e futbollit shqiptar në sezonin 2022-2023.
Play-off, teksa skema është 3-6 dhe 4-5, përplas Korabi – Tomori dhe Apolonia – Tërbuni. Pogradeci e Turbina, cërrikasit janë mundur në Sarandë në javën e fundit 0-1, do të luajnë në Play-out për të qëndruar në Kategorinë e Parë. Butrinti, Maliqi, Vora dhe Shkumbini në Kategorinë e Dytë, ndërsa në të parën vijnë Flamurtari e Luzi, të cilët të dielën do të luajnë finalen për titull kampion në ora 15:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”, e cila do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Kjo ishte java e fundit e Kategorisë së Parë për sezonin 2021-2022, ndërsa tanimë fjalën e kanë Play-off dhe Play-out, të cilat do të përcaktojnë verdiktet e fundit.
JAVA XXX
Erzeni – Besëlidhja 1-0
Besa – Bylis 3-2
Butrinti – Turbina 1-0
Tomori – Pogradeci 1-1
Tërbuni – Korabi 2-0
Maliqi – Burreli 3-0
Shkumbini – Lushnja 0-3
Apolonia – Vora 6-1