Bylykbashi: 1/3 e listave zgjedhore të mbyllura për të garantuar kuotën gjinore

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi deklaroi sot se, parlamenti dështoi që të bënte reformën zgjedhore që prisnin shqiptarët.
Në një konferencë për shtyp nga selia e PD, një ditë pas miratimit në Komisionin e Ligjeve të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor se, 1/3 e listës zgjedhore është vendosur e paracaktuar nga kryetari i partisë për të garantuar kuotën gjinore.
“Në këtë vend mund të futen edhe njerëz nga bota akademike, ata mbrohen dhe mundësohen që të jenë në Parlament. Kjo kuotë është 25%”, tha ai.
“Jemi më shumë se ⅔ me votim parapëlqyes dhe do të jetë pa asnjë herës. Kush merr më shumë vota, merr mandatin e deputetit”, u shpreh Bylykbashi.
“Ajo që duhet të them që në fillim, është se parlamenti i Shqipërisë, mazhoranca socialiste, dështoi që të bënte reformën zgjedhore që prisnin shqiptarët, politika dhe sigurisht që ishin kërkesa dhe rekomandime të faktorit ndërkombëtar”, tha ai.
“Edi Rama e bëri të qartë në dhjetorin e vitit 2023 që do të shkonte në mënyrë të njëanshme dhe eventualisht do të kërkonte vota në mënyrë të njëanshme duke mbajtur dhe ruajtur statuskuonë e ligjit zgjedhor ashtu siç ishte”, theksoi ai.
Bylykbashi ka bërë thirrje që mazhoranca qeverisëse dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’iu japë mundësinë emigrantëve që jetojnë jashtë vendit që të votojnë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Duke folur për votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, Bylykbashi tha se në këtë proces duhet të përfshihen edhe emigrantët që nuk kanë një vendbanim të ligjshëm jashtë vendit.
Deputeti i PD-së tha se për kategorinë e emigrantëve që jetojnë jashtë vendit pa një vendbanim të regjistruar, Partia Socialiste kërkon që t’i përjashtojë ata nga e drejta për të votuar në zgjedhjet e ardhshme.
“Të gjithë ata që në momentin e zgjedhjeve janë jashtë Shqipërisë, në një moment të caktuar të kenë të drejtën për të votuar. Propozimi i opozitës ishte më i gjerë se sa propozimi i Partisë Socialiste, e cila e reduktonte votën vetëm te emigrantët e ligjshëm që kanë një vendbanim të caktuar në vendin ku jetojnë, të regjistruar me dokumentacion të ligjshëm, duke përjashtuar dhjetëra apo qindra e mijëra shtetas shqiptarë të larguar në këtë 10-vjeçar të një eksodi të shkaktuar nga qeverisja e Edi Ramës, por që ende nuk kanë një regjistrim të ligjshëm”, u shpreh ai.
“Kjo do të krijonte dy kategori, zgjedhës shqiptarë që janë të ligjshëm dhe ata që janë të paligjshëm. Çdo shtetas shqiptar ka të drejtë të votojë. Çdo emigrant që gjendet jashtë të regjistrohet në KQZ me rregullat konsensuale të miratuara me mënyrë të thjeshtë regjistrimi dhe të shprehë votën në mënyrë të lirë”, u shpreh Bylykbashi.
Ai shtoi se votimi i emigrantëve duhet të bëhet përmes një shërbimi postar ndërkombëtar që nuk manipulohet dot.