E Enjte, 5 Nëntor 2026

Spiropali: Me Tavon, Himara do të ketë një kryebashkiak që zgjidh hallet e qytetarëve

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, nga foltorja e Kuvendit tha se zgjedhjet në Himarë nuk janë çështje politike, por çështje për zgjidhjen e halleve të banorëve të një krahine të mrekullueshme.

Spiropali, mori fjalën sot në Kuvend për t’iu përgjigjur Vangjel Dules, kreut të Partisë për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut. Dule tha se “Presidenti Begaj shkeli Kushtetutën duke ndjekur verbërisht urdhrin e Kryeministrit Rama për të dekretuar datën e zgjedhjeve në Himarë, në një kohë kur procesi për kryetarin e zgjedhur Beleri vijon”. Sipas Dules, komuniteti himariot po merret peng dhe nuk po respektohet e drejta e tyre për të zgjedhur kryetarin e bashkisë së zonës ku komuniteti himariot jeton.

Spiropali, në fjalën e saj, tha se bashkia e Himarës meriton një kryetar bashkie që troket në dyert e qytetarëve për t’u zgjidhur hallet e tyre, dhe jo hallet e padronëve të fshehur të kryetarit.

“Zgjedhjet për bashkinë e Himarës nuk janë një referendum politik, por janë zgjedhje lokale, për banorët e bashkisë së Himarës, të Lumit të Vlorës dhe të fshatrave të mrekullueshëm të Bregut”, tha Spiropali.

“Zgjedhjet në Himarë nuk janë zgjedhjet për të përçarë minoritetin dhe shqiptarët, por janë zgjedhje për të bashkuar të gjithë qytetarët e lirë dhe krenarë të atij vendi rreth zgjidhjeve për bashkinë e Himarës. Zgjedhjet për bashkinë e Himarës nuk janë zgjedhje për të ndarë copa trojesh dhe ndikimesh të brendshme apo të jashtme, por janë zgjedhje që ato troje, ato toka, atë breg të mrekullueshëm e ato male ti vëmë në funksion të zhvillimit të gjithë asaj krahine të mrekullueshme”, u shpreh Spiropali.

“Për bashkinë e Himarës, ne kemi zgjedhur një kandidat që di të bëjë punën, di të jetë i të gjithëve dhe di të jetë përfaqësues i shqiptarëve dhe grekëve dhe të gjithë qytetarët e këtij vendi që ne i shohim si qytetarë të lirë të Republikës së Shqipërisë dhe banorë të krahinës së Himarës, dhe Lumit të Vlorës, dhe të Lukovës, dhe të gjithë asaj komune që është pjesë e bashkisë së Himarës”, theksoi Spiropali.

“Ne me zgjedhjet e Himarës nuk bëjmë politikë as të brendshme, as të jashtme, por do t’i japim zgjidhje Himarës për problemet e tyre lokale, jashtë ndikimeve që e kanë kthyer këtë betejë elektorale në një luftë të pakuptimtë ndikimesh, të cilat nuk i bëjnë nder atyre që i bëjnë nga ata që vunë kandidatë persona me rekorde aty, e deri tek ata që e mbajnë jashtë litarin e përçarjeve për bashkinë e Himarës. Me Vangjel Tavon, bashkia e Himarës do të ketë një kryetar bashkie që nuk troket në dyert e kryetarëve apo padronëve të fshehur, por vetëm tek dyert e banorëve të bashkisë së Himarës, për t’i kërkuar atyre besimin dhe votën dhe për t’u dhënë shërbimet e merituara”, përfundoi ministrja Spiropali.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›