Bylykbashi: Vendimi i KQZ u jep mësim horrave të zgjedhjeve – fitorja e PS bazohet tek paratë e trafiqeve dhe drogës
Oerd Bylykbashi, ekspert i çështjeve zgjedhore, e konsideron vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërimin e votave të qarkut të Lezhës, si një mësim që u jepet atyre që ai i quan si horra të zgjedhjeve. Manipulimet, thotë ai, janë tregues i qartë se fitorja e Partisë Socialiste bazohet tek paratë e trafiqeve dhe drogës
Eksperti i çështjeve zgjedhore, Oerd Bylykbashi shprehet se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërimin e votave në qarkun e Lezhës, do të bëjë transparencë të plotë për atë që ka ndodhur në këtë qark gjatë zgjedhjeve. Në një deklaratë për mediat, Bylykbashi shprehet se hapja e kutive do të jenë një mësim që u jepet atyre që ai i quan si horra të zgjedhjeve. “Në këndvështrimin tim jemi para një vendimi i cili do të lërë gjurmë, besoj në administrimin e zgjedhjeve nga sot e tutje. Do t’i jap një mësim të madh politikës, shqiptarëve, administratorëve zgjedhor dhe të gjithë atyre që unë në vitin 2009 i kam quajtur horrat zgjedhorë”- tha Bylykbashi. Ai u ndal dhe në numërimin e 10 kutive të para të votimit në Qarkun e Lezhës, duke e cilësuar si provë që faktonte mënyrën e manipulimit të rezultatit zgjedhor në këtë qark. “Numërimi i atyre 10 kutive është provë sesi ky rezultat, këto zgjedhje, kjo fitore e Partisë Socialiste është e bazuar tek paratë e trafiqeve dhe drogës. Motoja e një lideri politik si Edi Rama është të fitojë me çdo kusht. Ai i hapi derën të gjithë të keqes që të futej në procesin zgjedhor”- tha Bylykbashi. Eksperti zgjedhor është ndalur dhe në deklaratat e përfaqësuesve të PS në Komisionin Zgjedhor, të cilët deklaruan se do të bëjnë padi penale ndaj anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që votuan hapjen e kutive. “Reagimi i PS sot (dje) në seancë dhe nga deklarimet që janë bërë nga selia e PS është vërtetë interesant për tu analizuar me kujdes. Një reagim nervoz, ai i një personi që u kap me presh në duar dhe që ka hallin të mos dalë akoma më keq. Në vitin 2009, PS kërceu menjëherë dhe kërkoi vetëm rinumërim pa paraqitur asnjë provë. Gjykata atëherë i dha përgjigje dhe i tha që nëse ti nuk ke asnjë provë nuk mund të shkosh më tutje. Diferenca me zgjedhjet në Lezhë është madhe, kemi ndryshim themelor. Jemi para 10 qendrave të votimit ku rezultati është manipuluar ose duke ndryshuar procesverbalet, ose aq më keq, duke i manipuluar që në fazën e numërimit. Sot po dalin prova, ndoshta do të dalin prova të tjera më të rënda, të cilat do të konfimojnë shkeljet e bëra. Nuk ka rëndësi, mandati mund të kthehet në krahun tjetër, ose mund të qëndroj kështu siç është. Ajo që duhet të dalë përfundimisht është e keqja që ka kapur rrënjën e procesit zgjedhor që është numërimi. Neve duhet që një herë e mirë këtë të keqe ta çrrënjosim”, shprehet Bylykbashi.