E Enjte, 5 Nëntor 2026

Bypass-i i Vlorës do të hapet më 15 korrik, Balluku: Do të lehtësojë trafikun në kulmin e sezonit turistik!

Bypass-i i Vlorës do të hapet më 15 korrik në mënyrë provizore  duke i shërbyer sezonit veror për të lehtësuar trafikun e rënduar që krijohet nga Radhima deri tek Kalaja në Vlorë. Kështu u shpreh ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku gjatë inspektimit të punimeve të kësaj vepre infrastukturore. 
Problematikat e kësaj rruge tashmë janë kapërcyer bën me dije ministria e cila thekson se një nga këto problematika ishin edhe varrezat e Vlorës. “Ne duhet të mbajmë afatin që kemi deklaruar, datën 15 korrik. Zona malore nga Kanina deri në kilometrin 20 ka qenë një zonë problematike. Po ashtu një segment problematik ishte segmenti që kalon te varrezat e qytetit të Vlorës, ku bëmë ndryshimet përkatëse në projekt. Këtu kishim krahun e varrezave dhe projekti i mëparshëm është pak ta quash qesharak, pasi nuk respektonte realisht as të vdekurit. I kalonte varrezave mes për mes. Ndërkohë që sot ne kemi ndërtuar një digë që ndan pjesën e varrezave”, tha ajo.
Një tjetër shqetësim që ngriti ministrja ishte edhe mungesa e valëve të telefonisë ne  zonën pas Kaninës, por që sic tha ajo do të marrë zgjidhje. 
Kjo vepër infrastrukturore me një gjatësi 14.7 kilometra është parashikuar të dorëzohet brenda 36 muajve, ndërsa në kontratë është parashikuar edhe mirëmbajtja e aksit për 10 vitet e ardhshme pas vendosjes së saj në funksion. Në projektin janë parashikuar ndërtimi i 5 ura, një gjysmë tunel si dhe ndërtimi i mbrojtjes lumore të lumit Dukat. 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›