E Shtunë, 31 Tetor 2026

CEZ e zhytur ne borxhe

As vetë çeket nuk e kishin besuar se pas tre vjetësh në krye të OSSH-së gjendja me borxhin e shkaktuar nga mungesa e arkëtimeve të plota do t’i shkaktonin kompanisë probleme serioze.

Sipas gazetës ‘Shqip’, nuk kanë mjaftuar metodat e reja të vjeljes së faturave, madje as forca fizike e grupit Task-Force për të bindur debitorët të paguajnë energjinë elektrike të faturuar.
 
“Borxhi total që na është krijuar që nga 1 janari 2007 llogaritet në rreth 32 miliardë lekë, nga të cilët 5 miliardë janë fatura të papaguara nga institucione publike, buxhetore ose jobuxhetare”, theksoi Alesh Konrad, drejtori i shitjeve në CEZ Shpërndarje.

Kompania CEZ e bleu OSSH në maj të vitit 2009, për 102 milionë euro dhe me një plan investimi për më shumë se 300 milionë euro për një periudhë kohe 4-vjeçare. Planet paraprake ishin ambicioze, por realiteti shqiptar ndryshoi strategjinë e kompanisë, e cila aktualisht është kthyer në qendër të akuzave si nga ana politikës ashtu dhe të opinionit publik.
 
“Edhe pse po punojmë shumë dhe po përdorim të gjitha mjetet e mundshme për të arkëtuar, nga ndërprerjet dhe deri çuarjen në gjyq të atyre që nuk paguajnë ende, arkëtimet janë të ulëta. Kjo performancë e dobët po ndikon edhe në shpejtësinë e investimeve tona për përmirësimin e rrjetit”, është shprehur Konrad.
 
Sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të vitit 2006, borxhi i krijuar nga familjarët për mospagimin e faturave të energjisë llogaritej në rreth 38 miliardë lekë. Ritmi i borxheve është rritur që nga 2007 kur shpërndarja u nda nga prodhimi për t’u privatizuar më pas.

Qeveria shleu vitin e kaluar rreth 2.2 miliardë lekë borxhe të krijuar nga drejtoritë e ujësjellësve për vite të tëra, por situata vetëm sa ndryshoi provizorisht në raportin mes CEZ dhe KESH, pasi në fillim të këtij viti gjendja me debitorët pësoi përkeqësim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›