“PS-ja po tenton të dëmtojë procesin zgjedhor”

Kreu i KQZ-së, Arben Ristani komenton vendimin e Kolegjit Zgjedhor
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, e ka cilësuar vendimin e Kolegjit Zgjedhor, një përpjekje të Partisë Socialiste për të dëmtuar procesin e zgjedhjeve të 8 majit. Reagimi i kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, erdhi pas vendimit që mori Kolegji Zgjedhor për rrëzimin e vendimit të KQZ-së për siglat e koalicioneve.
Sipas kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përzgjedhja e siglave të koalicioneve nuk është bërë me qëllim, por është bërë me program kompjuterik dhe kjo ka ndodhur edhe në vitin 2005, 2007 dhe 2009.
PS ankimoi vendimin e KQZ-së, për rishikimin e fletës së votimit dhe vendosjen e inicialeve të partive të koalicionit, poshtë emrit të kandidatit Edi Rama.
Sipas vendimit, KQZ miratoi modelin e fletës së votimit, sipas të cilës, në krah të emrit të kandidatit për kryetar Bashkie në Tiranë, Edi Rama, të mos vendosen inicialet e PS-së, por vetëm inicialet e koalicionit që ai përfaqëson. Por Kolegji Zgjedhor e ka hedhur poshtë këtë vendim, kështu që në 8 maj, krahas emrit të Edi Ramës do të jenë dhe inicialet e të 22 partive të koalicionit të tij, ashtu si dhe të kandidatit Basha.
Kolegji e ka parë në kundërshtim me ligjin, formatin e miratuar më parë nga KQZ, i cili në krah të kandidatit Rama vendoste thjesht inicialet AA. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të miratojë që këtë të hënë modelin e ri të fletës.
Sipas kryetarit Ristani, afatet shtrëngojnë dhe prodhimi i fletëve të votimit duhet të nisë minimalisht 20 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, afat i cili starton që nga dita e djeshme. Gjithashtu trupa gjykuese e Kolegjit Zgjedhor vendosi që në Fletën e Votimit, në renditjen e togfjalëshave të koalicioneve, “Aleanca për të Ardhmen” të jetë e para, e më pas të vendoset “Aleanca për Qytetarin”.
Në këtë mënyrë, në Fletën e Votimit për anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës, në fillim do të vendosen germat nistore të koalicionit opozitar “AA” e më pas ajo e mazhorancës “AQ”. Pas këtij vendimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i detyruar të ndryshojë përmbajtjen e Fletës së Votimit për Këshillin Bashkiak të kryeqytetit.