E Shtunë, 31 Tetor 2026

CEZ nen hetim mbi bazen e ankesave dhe denoncimeve te qytetareve

Fluksi i ankesave të shumta nga qytetarët në drejtim të kompanisë CEZ, nuk mund të mos çonte në nisjen e një hetimi nga ana e Prokurorisë.

Bëhet e ditur se njësia e Task-Forcës pranë Prokurorisë së Tiranës ka filluar hetimin në bazën e ankesave të qytetarëve dhe denoncimeve publike në media.

Si pjesë e këtij hetimi ,mësohet se oficerët e njësisë së Task-Forcës, i kanë kërkuar kompanisë çeke të gjithë regjistrat e faturave, që kanë pasur probleme në dëm të konsumatorëve.

Nga hetime paraprake bëhet e ditur se dëmi i shkaktuar nga kompania private CEZ në kurriz të konsumatorëve llogaritet në miliona euro. Të pyetur në lidhje me këtë çështje, përfaqësues të CEZ-it, nuk japin si gjithmonë, asnjë koment.

Ndërkaq, në dyert e Entit Rregullator të Energjisë mund të gjesh çdo ditë qytetarë që ankohen për faturat e energjisë. Ata pretendojnë se mbifaturohen nga operatori i shpërndarjes së energjisë në shumë të konsiderueshme.

Në disa raste qytetarët pretendojnë se nuk kanë shpenzuar aq kilovat sa regjistron aparati matës.

Ndërsa në lidhje me mbifaturimin e muajit dhjetor të vitit të shkuar asnjë prej tyre nuk është kompensuar.

Në kushtet, kur CEZ nuk jep asnjë sqarim për veprimet e padrejta ndaj qytetarëve, këta të fundit janë të detyruar që t’i binden vendimeve të saj, pasi mes kësaj kompanie dhe abonentëve nuk ka akoma një kontratë, ku të parashikohen të drejta dhe detyrimet e palëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›