E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfindustria Kuvendi ta miratoje sa me pare ligjin per amnisti fiskale

Konfindustria, përmes një deklarate të posaçme, i kërkon qeverisë shqiptare dhe vendimmarrjes politike të të gjitha ngjyrave në Kuvendin e Shqipërisë të miratojë në një kohë sa më të shpejtë projekt-ligjin e amnistisë së plotë.

Sipas drejtuesve të saj, vonesa kohore ka sjellë deri tani me qindra e qindra milionë euro burime financiare, kryesisht të qytetarëve shqiptare jashtë vendit, që nuk kanë mundur të hyjnë në Shqipëri në përfitim të drejtpërdrejtë të vendeve konkurrente tona në ekonomi si p.sh, Greqia.

Duke shtuar se çdo vonesë tjetër praktikisht do të sillte dështimin përfundimtar dhe të përhershëm të gjithë procesit.

“Konfindustria vlerëson se projekt-ligji i amnistisë fiskale i miratuar nga Këshilli i Ministrave në thelbin e tij është cilësor dhe i pranueshëm dhe ka nevojë vetëm për disa përmirësime plotësisht të mundshme për tu kryer lehtësisht deri në javën e ardhshme përpara kalimit të tij për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

Konfindustria i paraqiti zyrtarisht Këshillit të Ministrave dhe Komisioneve Parlamentare vlerësimet dhe kërkesat për përmirësimin e draftit të amnistisë fiskale”, citon deklarata në fjalë.

Duke shtuar se “amnistia fiskale në formën e plotë është e mundshme të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë me shumicë të thjeshtë dhe jo me 3/5 e deputetëve”.

“Nuk ka asnjë rast të vetëm në të gjithë rastet e vendeve të BE, në të cilat miratimi i amnistisë fiskale të ketë kërkuar 3/5 e votave të deputetëve, por pa përjashtim janë kaluar vetëm me shumicë të thjeshtë”, thonë ata.

Në fund, drejtuesit e Konfindustrias kërkojnë marrjen e të gjitha masave dhe në kohë sa më të shpejtë për të shfrytëzuar kohën e kthimit në atdhe të emigrantëve shqiptare me rastin e pushimeve verore, që vlerësohen si përfituesit dhe kontribuesit kryesore të faljes fiskale.

“Norma e penaliteteve për qytetarët prej 3 % e vlerës së përgjithshme financiare të amnistuar është e pranueshme parë edhe përvojat e vendeve të tjera.

Vlera prej 3% të zbatohet edhe për kapitalet dhe asetet e biznesit për hir të parimit të barazisë dhe rregullsisë së procesit.

Heqja e penalitetit prej 1% të vlerës së rivlerësimit të pasurive të paluajtshme për qytetarët për shkak se shmangiet janë pasojë e drejtpërdrejtë dhe vetëm e ndryshimeve të shpejta dhe të paarsyeshme ligjore.

Mënjanimi nga skema e amnistisë e drejta e bankave të nivelit të dytë në të cilat do të bëhet vetëdeklarimi për të kontrolluar origjinën e parave dhe kapitalit.

Të parashikohet në ligj nxjerrja e akte nënligjore përkatëse për procedurat praktike, që duhet të ndjekin qytetarët dhe bizneset dhe qytetarëve, që do të përfshihen me vetëdashje në procesin e amnistisë”, thekson deklarata.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›