E Shtunë, 31 Tetor 2026

CIA parasheh të ardhme të errët në botë?!

Parashikimi i së ardhmes është ambicia e Agjencisë Qendrore amerikane të Zbulimit, CIA, dhe e Këshillit Informativ Kombëtar (NIC), të cilët çdo pesë vjet mendojnë për gjendjen e botës për 20 vitet e ardhshme

Drafti i parë i reflektimeve të tyre përkitazi me këtë, i titulluar "Trendët Globalë 2030”, tashmë ka shkuar në institucionet në Washington, para ditës së caktuar publikimit që ndodhë pas zgjedhjeve presidenciale në nëntor, raporton “Le Monde”.

Në këtë draft paralajmërohet se revolucioni teknik mund të ndryshojë marrëdhëniet ndërkombëtare, që nga përhapja e ushqimeve të modifikuara gjenetikisht, printerët futuristë tredimensionalë , përmirësimi artificial i funksionit të trurit apo klonimi e njeriut. NIC ka marrë parasysh kritikat e raporteve të mëparshme. Këtë herë, dokumenti përmban natyrën evolucionare të fuqisë amerikane në botën në transicion.

Për vitin 2030, NIC parashikon pothuajse me siguri prirjet kryesore që do të strukturojnë sistemin ndërkombëtar: lirimin e individit, demografinë, shpërndarjen e fuqisë, problemet energjetike, të ujit apo ushqimit. Ndikimi i një apo ndonjë konstante tjetër nga këto varet nga faktorët kryesorë të ekonomisë si dhe nga qeverisja globale, konflikti i armatosur, teknologjia dhe ç'është më e rëndësishmja: roli i Shteteve të Bashkuara.

Kjo dinamikë lejon parashikim e tre skenarëve për vitin 2030: “Rikthim në të vjetrën”, “bashkëpunim”, apo “shpërbërje”.

Sipas autorëve, gjasat më të mëdha i ka skenari i fundit. Rritja e pabarabartë ekonomike rishpërndanë kartat e fuqisë. Perëndimi dobësohet në dobi të Azisë, derisa paqëndrueshmëria e tregjeve dhe ndryshimi i klimës kërcënon stabilitetin në botë.

Në botën e "shpërbërë", mungesa e përgjithshme e vullnetit politik në zgjidhjen e problemeve botërore marginalizon organizatat shumëpalëshe dhe thekson rrezikun e konflikteve ndërshtetërore. Nëse mund të shmangen konfliktet e mëdha ushtarake, të tilla si midis Kinës dhe SHBA, bota prapë do të jetë në buzë të humnerës.

Skenari i “rikthimit në të vjetrën”, që parashikon kthim në botën “para amerikane”, pra në mungesën e stabilitetit në pjesën e parë të shekullit XX, nuk është aspak më optimiste. E kapur në problemet buxhetore, SHBA nuk ka më aftësi të ndikojnë në skenën ndërkombëtare. Rikthimi i tillë është burim i mungesës së balenës. Tensionet etnike dhe gjeopolitike në Azi dhe në Lindjen e Mesme, shpejt shndërrohen në konflikt të hapur në kontekstin e stagnimit ekonomik global.

E ardhmja pra, deri në vitin 2030, duket mjaft e errët. Prej tre skenarëve, i vetmi version pozitiv bazohet në gjëra jo reale. “Bashkëpunimi" e përshkruan lindjen e një bote vëllazërore, të udhëhequr nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara, bashkëpunimi i të cilave në fushën teknologjike ka nisur një epokë të re të artë të marrëdhënieve ndërkombëtare.

“Duhet të shpresoni”, shkruan “Le Monde”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›