E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujtimet si trashëgimi rajonale

Projekti i ri "Kujtimet e Ballkanit", i sponsorizuar nga BE dhe i financuar nga Instituti Kombëtar Audio-Vizual i Francës, pritet të shtojë nivelin e informimit dhe të ndihmojë në digjitalizimin, ruajtjen e duhur dhe menaxhimin e trashëgimisë së gjerë audio-vizuale të rajonit.

Projekti “Balkans Memory” do të zgjasë 30 muaj, ndërkohë që konferenca e hapjes është mbajtur muajin e kaluar, në Zagreb. Projekti udhëhiqet nga INA, në bashkëpunim me Qendrën Audio-vizuale Kroate, Arkivin Shtetëror të Filmit të Shqipërisë dhe me COPEAM.

“Fjala 'kujtesë' iu referohet imazheve dhe tingujve që ndërtojnë historinë e përbashkët [të rajonit]. Çdo shtet i kësaj zone gjeografike është përfshirë në projekt, i përfaqësuar me arkivat kombëtare filmike ose të radio-televizionit" thotë për portalin SETimes Delphine Wibaux, menaxhere e projektit.

Deri në korrik të vitit 2014, në Tiranë, Beograd, Podgoricë, Shkup dhe Sarajevë do të mbahen seminare të ndryshme për konservimin, restaurimin, digjitalizimin dhe ruajtjen e materialeve audio-vizuale, por edhe trajnime praktike për vlerësimin e koleksioneve dhe konturave ligjore për përdorimin e imazheve dhe tingujve.

"Synimi është që shtetet t’i ndajnë mes veti përvojat dhe praktikat më të mira", tregon Wibaux, duke sqaruar se, projekti gjithashtu synon të ofrojë mundësi për nxitjen e trashëgimisë së përbashkët rajonale për një afat të gjatë. Sipas saj, projekti do të shënjestrojë tri nivele të grupeve të interesit: vendim-marrësit, krerët e arkivave dhe profesionistët – qofshin ata lokalë apo rajonalë.

"Ballkani nuk është vetëm një zonë konflikti. Ai është edhe një zonë e shkëmbimeve të pabesueshme e frutdhënëse kulturore dhe e identiteteve të fuqishme kombëtare që jetojnë pranë njëri-tjetrit", shprehet kryesuesja e Qendrës Audio-vizuale Kroate, Sanja Ravlic.

"Kam arsye të besoj se kjo nismë do të shndërrohet në njërën prej nismave më të rëndësishme audio-vizuale në rajon", shton Ravlic, sepse, siç thotë, shtetet rajonale tashmë bashkëpunojnë në kontekstin ndërkombëtar, por ky projekt ofron një "mundësi unike që edhe praktikantët të mbledhin burimet e tyre, të shkëmbejnë njohuri dhe përvoja".

Edhe ekspertët e tjerë pajtohen se kujtesa kolektive dhe kultura përgjithësisht janë thellë të rrënjosura në kujtesën audio-vizuale, e cila mund të humbasë nëse nuk ndërmerren veprime për konservimin e saj.

Kjo është një hapësirë e kujtimeve, e dijes dhe e njerëzve. Ne vërtet i kemi kufijtë tanë, por kemi edhe një histori të gjatë të përbashkët. Dhe, kjo gjithsesi që ka rëndësi”, thotë Petra Hofbauer, nga Qendra Audio-vizuale Kroate.

"Konservimi i trashëgimisë në Ballkan ka të bëjë me konservimin e veçorive të gjithë rajonit... Ato përfaqësojnë pjesë të historisë së rajonit", shprehet Abaz Hado, zëvendësministër i Kulturës i Shqipërisë.

Sipas Erjona Vyshkës, nga Arkivi Shtetëror i Shqipërisë, më parë konservimi nuk ka qenë një përparësi, për shkak të mungesës së fondeve, pajisjeve dhe profesionistëve.

"Në këto rrethana ishte e nevojshme të ndërhyje dhe t’i konfrontoheshe rrezikut të humbjes së trashëgimisë së shtetit", tregon Vyshka.

Nga ana tjetër, një përfitim i veçantë nga qasja e përbashkët është se ajo do t’i tejkalojë dallimet ekzistuese etnike e kombëtare.

"Dallimet dhe problemet etnike janë më pak të pasqyruara në art dhe kulturë sesa në ndonjë fushë tjetër, sepse arti e kultura i lidhin dhe i bashkojnë popujt ", përfundon Vyshka.

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›