Çako: Zjarri në Fier përmasa të jashtëzakonshme, operacion nga toka dhe ajri

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Situata e zjarrit në zonën e Levanit në Fier vijon të mbetet problematike, ndërsa në terren janë angazhuar të gjitha strukturat për përballimin e flakëve.
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, tha për mediet se operacioni po zhvillohet si nga toka, ashtu edhe nga ajri, me mbështetjen e helikopterëve.
“Janë angazhuar të gjitha forcat dhe strukturat, nga toka dhe nga ajri, të gjitha njësitë vendore, të suportuara dhe të mbështetura edhe nga forcat nga ajri me helikopter. Jemi duke punuar për të vendosur përfundimisht në kontroll zjarrin”, u shpreh Çako.
Ai theksoi se kushtet e motit, veçanërisht era e fortë dhe temperaturat e larta, kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve dhe kanë vështirësuar ndërhyrjen e forcave në terren.
“Për shkak të turbulencave të erës dhe temperaturave të larta, zjarri ka marrë përmasa të jashtëzakonshme”, tha Çako, duke nënvizuar se prioritet mbetet shmangia e çdo rreziku për zonat e banuara dhe qytetarët.
Sipas tij, kapacitetet për evakuimin e banorëve janë në gatishmëri, ndërsa deri tani zjarri ka qenë më pranë disa njësive të biznesit, të cilat, fatmirësisht, janë shpëtuar nga flakët.
“Kapacitetet për të evakuar janë në gatishmëri, pasi zjarri ka qenë më shumë pranë disa njësive të bizneseve, të cilat, fatmirësisht, janë shpëtuar dhe nuk janë shkrumbuar apo djegur nga zjarri”, deklaroi Çako.
Kreu i Emergjencave Civile apeloi qytetarët për kujdes maksimal, veçanërisht në kushtet e temperaturave të larta dhe rrezikut të shtuar për përhapjen e zjarreve.
Ai theksoi se situata vijon të paraqesë rrezik potencial dhe kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve, duke u bërë thirrje të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë vatra zjarri.
“Zjarri ka faktor vetëm njeriun”, u shpreh Çako, duke nënvizuar rëndësinë e përgjegjësisë qytetare në parandalimin e zjarreve.
Operacioni për shuarjen e zjarrit vijon, ndërsa strukturat e emergjencave civile mbeten në gatishmëri për ndërhyrje dhe, nëse do të jetë e nevojshme, për evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara.
/e.i/r.e/