Kuvendi rinis punimet më 8 shtator, publikohet rendi i ditës

TIRANË, 4 shtator /ATSH/ Kuvendi do të rinisë punimet parlamentare ditën e martën, datë 8 shtator 2026, në orën 17:00, duke çelur zyrtarisht Sesionin III të Legjislaturës XI.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka nxjerrë sot urdhrin që i thërret deputetët në seancën e parë plenare publike pas përfundimit të pushimeve verore.
Sipas rendit zyrtar të ditës, botuar në faqen zyrtare të Kuvendit, seanca do të përmbajë tri pika: hapjen e punimeve të Sesionit III të Legjislaturës XI, miratimin e procesverbaleve të seancave plenare të datës 27 korrik 2026 dhe njoftimet.
Hapja e punimeve bëhet në mbështetje të nenit 74, pika 1, të Kushtetutës dhe neneve 7, pika 6, dhe 42, pika 1, të Rregullores së Kuvendit.
Pika e dytë e rendit të ditës lidhet me miratimin e procesverbaleve të seancave plenare të 27 korrikut 2026, në mbështetje të nenit 44, pika 2, të Rregullores së Kuvendit.
Në pikën e tretë parashikohen njoftimet, në përputhje me nenin 44, pika 3, të Rregullores së Kuvendit.
Urdher-dhe-rendi-i-dites-Per-mbledhjen-e-seances-plenare-te-dates-8.9.2026-ora-17-00 Urdher-dhe-rendi-i-dites-Per-mbledhjen-e-seances-plenare-te-dates-8.9.2026-ora-17-00