“Call-Center”-at shqiptarë i bënë gjëmën austriakëve

Një oficer kontakti, pranë Ambasadës Austriake në Tiranë, ka kryer një vizitë pune në Prokurorinë e Tiranës, duke marrë informacion mbi veprimet hetimore që janë kryer lidhur me dosjen penale Nr.3377, që bën fjalë për grupin e Call-Centërave.
Hetuesi austriak është parë në Ambientet e prokurorisë së kryeqytetit, duke zhvilluar takim informues me anëtarët e grupit të hetimit që kanë në dorë dosjet me të arrestuarit e Call-Centërave.
Pavarësisht se hetimi qendror është pikërisht tek çështja Nr.3377, nga kjo dosja kanë lindur dhe disa procedime të tjera që po hetohen paralelisht me bërthamën kryesore të grupit.
Fenomeni i mashtrimit të qytetarëve evropianë përmes Call-Centërave të vendosura në Tiranë dhe qytete të ndryshme të vendit, është kthyer në një shqetësim serioz për disa vende si Italia, Gjermania, Kanadaja, Austria, Anglia dhe së fundi ministri Grek hodhi akuza se qytetarët helenë po mashtrohen përmes rrjetit të Call-Centërave.
Ndaj prokuroritë e këtyre shteteve kanë sjellë në prokurorinë Shqiptare, informacione të detajuara për zbulimin e IP-ve elektronike duke çuar në zbulimin e disa prej personave përgjegjës.
Shuma raste aktualisht po ndiqen nga prokuroria e Tiranës dhe prokuroria e posaçme SPAK, ndërsa të tjera vijojnë të jenë në ndjekje proactive nga krimi ekonomik, prokuroria dhe partnerët e huaj.
Prandaj dhe prezenca e oficerit të kontaktit pranë Ambasadës Austriake në Tiranë në prokurorinë e kryeqytetit, është parë e nevojshme për hetimin e këtyre raste kaq delikate dhe të sofistikuara.