Cameron: Ja shoqëria e madhe që do të ndërtojmë gjatë mandatit
Kryeministri britanik, David Cameron, është zotuar dje në një fjalim shumë të rëndësishëm të mbajtur në Liverpul, se synon që të bëjë një shpërndarje të madhe të pushtetit “nga elitat, në duart e grave dhe burrave të thjeshtë të vendit”. Këto, sipas tij, janë pjesë e planit të madh të konservatorëve për krijimin e së ashtuquajturës “shoqëri e madhe”. “Shoqëria e madhe ka të bëjë me çlirimin dhe është rishpërndarja më e madhe e pushtetit nga elitat, në duart e njerëzve të thjeshtë”, ka deklaruar Kryeministri. “Dhe një ide e tillë e fuqishme ka shumë arsye. Për shumë vite ka ekzistuar ideja që për të funksionuar gjërat, duhet që të punët të drejtohen nga një grup njerëzish që quhen elitë, por një gjë e tillë nuk ka funksionuar”, ka thënë Cameron. Liverpuli do të jetë një nga zonat avangardë që do të marrë ndihmë të veçantë në zbatimin e projektit që nis me ndryshimet në transportin lokal e deri në përmirësime të aspekteve më të vogla të jetës. Sipas Cameron, komunitetet avangardë do të kenë një skuadër nëpunësish që do të jenë edhe “trajnerët” e “shoqërisë së madhe”. Për shembull, në Liverpul ka nisur programi sipas të cilit kanë dalë disa vullnetarë që marrin përsipër të asistojnë turistët nëpër muzeume edhe në orët kur ato zakonisht duhet të ishin të mbyllura. Këto ide të reja janë kundërshtuar nga opozita si ide të mjegullta dhe të vakëta. Ndërkaq do të ngrihet edhe një bankë e posaçme për financimin e këtyre ideve të reja dhe sigurisht ato do të zbatohen edhe nga grupe vullnetarësh dhe fondacionesh bamirësie. Ndër fondet e përdorura për këtë punë do të jenë edhe paratë që qëndrojnë “të fjetura” nëpër banka. Bëhet fjalë për qindra milionë paund. Ndër objektivat kryesore të Cameron janë krijimi i një kulture të re në marrëdhëniet e qeverisë me njerëzit, një kulture të vullnetarizmit dhe të veprimit social, një reformimi të shërbimit publik duke hequr dorë nga centralizimi i tepruar dhe burokracia, si dhe fuqizimi i komuniteteve të ndryshme që kanë qenë të diskriminuara.
#