Kryeministri nuk voton buxhetin

Si asnjëherë më parë, gjatë diskutimeve të buxhetit ka munguar Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i zënë me takime të ndryshme, duke e ndjekur seancën nga televizori. Gjatë diskutimeve ra në sy edhe mungesa e Kryetares së Parlamentit, e zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm Ilir Meta, kurse ministrat dhe deputetët e LSI-së nuk mbajtën asnjë qëndrim, pavarësisht akuzave drejtuar nga opozita në drejtim të ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Për orë të tëra mazhoranca dhe opozita kanë debatuar me njëra-tjetrën mbi parametrat e rinj të buxhetit të shtetit 2010, i cili parashikon uljen e shpenzimeve me 39 miliardë lekë. Nuk kanë mjaftuar më shumë se 12 orë diskutime që palët të bien dakord, pavarësisht analizës që bëri ministri i Financave dhe kolegët e tij, si dhe arsyetimeve të paraqitura nga opozita. Opozita e braktisi sallën pas kundërshtimit nga ana e PD-së për të vijuar akoma e më tej diskutimet, duke mos votuar ndryshimet në buxhet.
Në fund të diskutimeve, në emër të grupit parlamentar të PS-së, Ilir Beqja vuri në dukje problemet që shqetësojnë sot ekonominë. Sipas tij, qeveria i mashtroi qytetarët, duke bërë gjoja inaugurime, ndërsa bizneset viheshin në vështirësi likuidimi. “Berisha e fshehu krizën, kur opozita e paralajmëronte atë. Buxheti i rishikuar nuk ofron asgjë. Po ua them që tani, në fund të vitit do të kemi 6 për qind deficit buxhetor dhe 64 për qind borxh publik në raport e PBB-në”, tha Beqja.
Kurse nga demokratët, në emër të grupit foli ministri i Financave. “Ju keni shqetësim vetëm kryetarin tuaj, për ëndrrën e tij kryeministrore. Buxheti u sulmua dhe mallkua, dhe nuk dhatë asnjë alternativë, por vetëm dyshime. Buxheti i ri nuk është gjë tjetër veçse reagimi i duhur ndaj krizës, ndërsa shpenzimet dhe të ardhurat janë më të larta se 5 vite më parë”, tha ministri.
Socialistët kërkuan që në sallën e Kuvendit të ishte i pranishëm edhe Kryeministri, pasi nuk është aspak serioze mungesa e kreut të qeverisë kur diskutohet buxheti. Debati nisi me fjalën e ministrit Ridvan Bode, i cili prezantoi projektin mbi buxhetin, duke theksuar faktin se ulja e shpenzimeve krijon mundësi për uljen e deficitit. "Përgjysmimi i ritmeve të zhvillimit të ekonomisë e bën të domosdoshme që qeveria dhe Kuvendi të mund të riformulojnë një program politikash që të marrë në konsideratë këto zhvillime dhe të garantojë mbi këtë bazë mundësinë për një zhvillim real të ekonomisë”, thotë Bode. Opozita akuzon se shkaku i vërtetë i krizës janë monopolet e qeverisë dhe njerëzve pranë saj. Debate pati edhe mes socialistit Arben Malaj dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, për mënyrën e menaxhimit të borxhit publik. Sipas ministrit, niveli aktual i borxhit publik, që është afër 60 për qind të PBB-së, konsiderohet i lartë në krahasim me vendet e tjera të rajonit, por i pranueshëm, pasi ka kosto të ulëta. Por sipas Malajt, qeveria nuk mund të vazhdojë më me deficitin aktual buxhetor, pasi rrezikohet ekonomia e vendit.
“Kujdes me borxhin publik, i cili deri në fund të mandatit të kësaj qeverie mund të shkojë deri në 65 për qind”, tha Malaj, duke përsëritur variantin e një borxhi publik që ka prekur nivelin e 100 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. “Një qeveri që shkurton buxhetin mesatarisht 9.5%, por që shkurton investimet publike 27% ose tre herë më shumë, një qeveri që shkurton investimet në shëndetësi me rreth 60% ose 6 herë më shumë se mesatarja, jo vetëm që është në krizë, por në krizë të thellë njerëzore”, tha ish-ministri socialist i Financave, Malaj.
“Përmes këtij operacioni, ne e mbajmë borxhin publik nën nivelin 59.5% e PBB. Sigurisht, borxhi publik i Shqipërisë është disi më i lartë sesa i vendeve të rajonit, por është borxhi më i mirë publik që ka ndonjë vend tjetër”, tha Bode, i cili më pas shpjegon duke theksuar se “kostoja që shërben borxhin publik është më e ulëta në të gjithë rajonin tonë, në 3% e PBB. Më pak se 10% e shpenzimeve të buxhetit janë kostoja e shërbimit të borxhit publik, ndërkohë që të gjitha vendet periferike, nuk po përmend Greqinë me 8 për qind, por vendet e tjera, e kanë borxhin publik nga 4 për qind e lart, edhe pse nivelin e borxhit e kanë më të ulët se Shqipëria”.
Debate të forta ka pasur edhe për financimet e huaja. Pak ditë më parë Kryeministri deklaroi se deri në 2013-n do të merren 3.2 miliardë euro kredi të buta, por Taulant Balla, duke ju referuar sipas tij dokumenteve zyrtare, e përgënjeshtron këtë shifër.
“Kontrata me Bankën Botërore e konfirmuar thotë se Shqipëria merr 50 milionë euro; në fondin e OPEC Shqipëria merr 30 milionë dollarë, ndërsa nga Banka e Zhvillimit Islamik 30 milionë dollarë”, thotë Balla.
Debati vijoi më pas mes ministrit të Punëve Publike dhe deputetit socialist, Sajmir Tahiri, për sa i takon sigurisë rrugore, nisur nga tragjedia e Fushë-Arrëzit. Duke folur për buxhetin e ri, ministri Olldashi pranoi shkurtimin e fondeve për investime me 18 për qind, ndërsa theksoi se në 6 muajt e parë niveli i realizimit të investimeve arriti në 80 për qind.
#