E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokufest 2010, 130 filma në festival

Veprimtaria Program special për të nderuar aktorin Bekim Fehmiu

Edicioni i nëntë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, “Dokufest 2010”, që llogaritet të jetë ngjarja më e madhe filmike në Kosovë, do të organizohet edhe këtë verë në qytetin e Prizrenit. Ky festival, sipas organizatorëve, do të mbahet nga data 31 korrik, deri më 7 gusht, dhe për këtë janë bërë përgatitjet e duhura. Drejtori artistik, Veton Nurkollari, ka thënë se gjatë këtij edicioni do të shfaqen rreth 130 filma, dhe po shqyrtohen mundësitë që me një program special të nderohet edhe figura dhe krijimtaria e aktorit të madh Bekim Fehmiut. “Në “Dokufest”- in e sivjetshëm do të jetë edhe retrospektiva e filmbërësit të njohur të ish-Jugosllavisë, Zhelimir Zhilnik, duke shfaqur 11 filma të tij, ku bëjnë pjesë edhe dokumentarët e shkurtër të karrierës së tij të hershme, pjesa e parë e trilogjisë “Kenedi kthehet në shtëpi”, si dhe filmi i fundit, “Shkolla e vjetër e Kapitalizmit”, ka thënë Nurkollari, duke përmendur edhe pjesën e festivali për fëmijë, “DokuKids”, ekspozitën me fotografi, shfaqjen e dokumentarëve dhe filmave të shkurtër, si dhe aktivitete të ndryshme që do të zhvillohen gjatë një jave. Në këtë festival filmat do të shfaqen dy herë në ditë në katër kinema, dy nga të cilat do të jenë nën qiell të hapur. Java e filmit dokumentar dhe të shkurtër, edhe kësaj radhe do ta shndërroj Prizrenit në një qytet të madh të filmit botëror, pasi bazuar në traditën e deritashme, në këtë festival jo vetëm që shfaqen filma shumë të njohur, por gjatë kohës sa zgjat ky manifestim, në këtë qytet vijnë dhe qëndrojnë edhe shumë emra të njohur të këtij zhanri kinematografik.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›