E Diel, 1 Nëntor 2026

Cameron, i ashpër ndaj Izraelit: Gaza i ngjan një burgu

Akuza

Kryeministri britanik ka zhvilluar një vizitë në Turqi dhe duke përfituar nga ky rast, ka bërë edhe një deklaratë shumë të ashpër në lidhje me konfliktin në Lindjen e Mesme. Kështu ai e krahasoi përvojën e palestinezëve në kampet e Gazës, me atë të të burgosurve në kampe. Edhe pse deklarata të tilla Cameron i ka bërë edhe më parë në lidhje me trajtimin që u bëhet palestinezëve, vendimi për t’i ripërsëritur deklaratat edhe këtë herë në arenën ndërkombëtare dhe në një vend si Turqia, marrëdhëniet e së cilës me Izraelin janë përkeqësuar ndjeshëm, ka bërë që jehona e tyre të jetë më e madhe. Komentet e Cameron kanë bërë që Kryeministri turk, Erdogan, të ishte gjithashtu i ashpër ndaj izraelitëve në lidhje me mënyrën se si ata reaguan me flotën e aktivistëve të të drejtave të njeriut, që kishte shkuar për të ndihmuar njerëzit e Gazës. Madje ai shkoi më tej, duke krahasuar ndërhyrjen e komandove hebreje në anijet e aktivistëve me ndërhyrjet e piratëve somalezë në anijet të cilat i marrin peng. Kritika e Cameron ndaj “Tel Aviv”-it erdhi kur ai bëri thirrje për një lehtësim të kufizimeve të mëdha që i kanë vënë Gazës hebrenjtë: “Mallrat që përbëjnë ndihmë humanitare dhe njerëzit duhet që të jenë të lirë. Gaza nuk duhet dhe nuk mund të vazhdojë që të jetë një burg”, ka deklaruar Cameron. Ai dënoi ashpër edhe Izraelin, pas sulmit të flotës në Gaza, duke e cilësuar atë “të papranueshëm”. “Unë i kam thënë Beniamin Natanjahut që presim të gjitha rezultatet e hetimit për shkaktarët e tragjedisë së flotës dhe për të qenë fare i qartë, dua të them se situata në Gaza duhet të ndryshojë”.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›