Greqia burgos me pa të drejtë fëmijët refugjatë
Greqia ka burgosur dhe vazhdon të burgosë fëmijë emigrantë që nuk janë të shoqëruar nga prindërit, në kundërshtim dhe dhunim të ligjit të Bashkimit Europian dhe shpesh e bën këtë gjë në kushte tmerrësisht të këqija. “Amnesty International”, në një raport ku jepen detaje për mënyrën e trajtimit të emigrantëve, akuzon Athinën për politikën e ndjekur, veçanërisht atë të burgosjes së të miturve për një kohë të gjatë. Kushtet e kësaj burgosjeje janë kaq të tmerrshme, saqë fëmijët hyjnë në greva urie në shenjë proteste ndaj mbajtjes së gjatë në burg dhe madje disa prej tyre kanë tentuar edhe vetëvrasjen. “Nuk është aspak dhe kurrsesi i pranueshëm fakti i burgosjes së të miturve dhe ata nuk duhet të vihen kurrë në kushte jetese të këqija dhe për periudha të gjata”, thuhet në raport. “Edhe pse Greqia është duke kaluar një periudhë të vështirë ekonomike dhe është duke pritur ndërkohë një numër të madh emigrantësh, nuk është e pranueshme që fëmijët të trajtohen në mënyrë çnjerëzore”, vazhdon raporti. “Amnesty International” argumenton se kushtet në të cilat qëndrojnë emigrantët në shumë vende të botës janë zakonisht të këqija, me probleme të mëdha higjiene dhe me kushte minimale jetese. Fëmijët e pashoqëruar, që kapen nga autoritetet greke me të mbërritur në Greqi, zakonisht burgosen menjëherë pas arrestimit për hyrje të parregullt në Greqi. Kur lëshohet ndonjë urdhër deportimi, burgimi vazhdon derisa të caktohet një roje ligjore dhe fëmija të kalojë më pas në ndonjë institucion pritjeje të emigrantëve për fëmijët e pashoqëruar që kanë hyrë në Greqi vetëm dhe pa dokumente. Mbipopullimi i këtyre burgjeve dhe qendrave pritëse është një nga problemet e tjera të mëdha që shkaktojnë edhe përkeqësimin e kushteve të jetesës. Veçanërisht kjo ndodh gjatë muajve të verës, kur një numër emigrantësh tentojnë që të ndërmarrin udhëtime të rrezikshme përmes Mesdheut për të shkuar në Europë, tokën e premtuar. Në burgun e Paganit, që është edhe qendër pritëse për emigrantët, në vitin 2009, 150 fëmijë ndërmorën një grevë urie në shenjë proteste për zgjatjen e qëndrimit të tyre në burg dhe mbi të gjitha për kushtet shumë të këqija në të cilat ndodheshin gjatë këtij qëndrimi. Mbi 850 persona, përfshi 200 fëmijë të pashoqëruar, 150 gra dhe 50 fëmijë të vegjël, qëndrojnë në këtë qendër në kushte krejtësisht çnjerëzore dhe në hapësira të mbipopulluara. Vetëm pas një vizite të përfaqësuesve të Komisionit të Lartë për Refugjatët për të drejtat e fëmijëve, autoritetet greke lëshuan 570 persona, një pjesë e mirë e të cilëve familje me fëmijë, si dhe fëmijë të pashoqëruar. Në një letër drejtuar Komisionit Europian, grupi u ka kërkuar ekzekutivëve të BE-së që të sigurohen se Greqia po i kryen të gjitha detyrimet e saj ligjore ndaj emigrantëve dhe refugjatëve, veçanërisht për sa i takon trajtimit të fëmijëve të tyre. “Amnesty International” beson se duhet të ndalohet plotësisht burgosja e fëmijëve të mitur dhe të pashoqëruar dhe se Greqia duhet t’i parandalojë ngjarje të tilla. Konventa e OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve, pjesë e së cilës është Greqia, nënvizon se “fëmijët e pashoqëruar nuk duhet, si rregull, të burgosen dhe se qeveria në një rast të tillë duhet që të japë një asistencë të veçantë”.
Sipas raportit, realiteti i emigrantëve në Greqi është shumë i rëndë dhe BE duhet që t’i bëjë presion Greqisë për përmirësimin e situatës. çdo person ka të drejtën që të ketë asistencën bazë ligjore dhe trajtimin njerëzor me të mbërritur në një vend të BE-së.
#