E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turizmi në Durrës, sivjet më pak, fundjavat më shumë

Pushimet

Drejtues të lokaleve dhe ambienteve të akomodimit në plazhe, si dhe kryebashkiaku i Durrësit, pranojnë se numri i pushuesve këtë vit nuk është ai i pritshmi. Të njëjtën gjë pohojnë dhe agjencitë e lundrimit. Numri i biletave të prenotuara paraprakisht në tragete nga emigrantët që pritet të kthehen në atdhe nuk është ai i parashikuari prej tyre. Fluks ka vetëm gjatë fundjavave, si në plazhe, ashtu dhe në terminalin e pasagjerëve në portin detar më të madh në vend. Shumë ambiente akomodimi kanë ngelur bosh në pritje të pushuesve, ndërkohë që pritet që muaji gusht të jetë më i mbarë. Nga data 19 deri më 25 korrik, në vend kanë hyrë nga Porti i Durrësit 23574 pasagjerë dhe 7334 automjete. Numri më i madh është i shtetasve të huaj, jo shqiptarë, ku përfshihen dhe ata që zotërojnë pasaportën kosovare. E ndërsa muaji qershor, krahasuar me një vit më parë, ka regjistruar një rritje prej afro 8 për qind për ata që kanë zgjedhur këtë port për të lëvizur, korriku ka qenë më i vakët në ditët e javës. Gjithçka pasqyrohet edhe në plazhe. “Preferoj të vij me avion, pasi çmimet nuk kanë ndonjë diferencë të madhe, ndërsa koha e udhëtimit është shumë më e gjatë. Zgjidhnim tragetet dhe për arsye ekonomike, për të mos shpenzuar, por agjencitë nuk kanë bërë asnjë ulje në çmime”, shprehet një emigrante nga Durrësi, e cila ka zgjedhur transportin ajror për t‘u kthyer pranë të afërmve. Ndërkaq, një arsye që i ka mbajtur larg atdheut një pjesë të emigrantëve shqiptarë është dhe kriza ekonomike që ka përfshirë Europën vitet e fundit. Më pak të ardhura janë futur në vend prej tyre dhe kjo dëshmohet jozyrtarisht edhe nga punonjës të disa prej bankave të nivelit të dytë në Durrës. Statistikat zyrtare në lidhje me numrin e atyre që po pushojnë në bregdetin durrsak gjithsesi mungojnë. Gjithçka jepet me përafërsi. Ndërkohë, pushues kosovarë të kontaktuar nga gazeta, duke dashur të argumentojnë fluksin vetëm gjatë fundjavave, thonë se një pjesë e tyre preferojnë t’i kalojnë pushimet në zona të ndryshme të bregdetit shqiptar dhe jo vetëm në Durrës.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›