Cana: “Barazimi kundër Lionit, jo i keq”Loriku deri tani ka zhvilluar 179 në Ligën e parë franceze, duke shënuar në total 7 gola. Marseja, që ka dhe sulmin më të mirë në kampionat me 33 gola, vazhdon aventurën në Kupën UEFA

Të dielën në mbrëmje, Olimpiku i Marsejës i kishte të gjitha shanset të kryesonte kampionatin francez, nëse Marseja do të fitonte me Olimpikun e Lionit në “Gerland”. Marseja e kapitenit shqiptar barazoi pa gola në Lion kundër kampiones në fuqi të Francës.
Edhe pse Lioni dominon prej shtatë sezonesh kampionatin francez, kundrejt Marsejës nuk ka rezultate të mëdha: në gjashtë takimet e fundit midis tyre, Marseja ka fituar dy takime, barazuar tre dhe humbur një ndeshje. Trajneri Erik Gerets në dhomat e zhveshjes dhe kapiteni Lorik Cana në fushë e udhëhoqën Marsejën drejt një rezultati pozitiv.
Kapiteni olimpien Lorik Cana (25 vjeç, 15 ndeshjë në kampionat për këtë sezon, 1303 minuta lojë, 4 kartonë të verdhë) e vlerëson si pozitive performancën e Marsejës: “Një barazim nuk është i keq kundër Lionit”.
Faqja e njohur sportive goal.com në versionin e saj në gjuhën frengë i kishte dhënë notën 6 Lorikut. “Kapiteni e bëri shumë mirë punën e tij dhe nuk dështoi në asnjë rast”. Më i miri nga Marseja ishte portier Stiv Mandada me notën 6.5.
Loriku deri tani ka zhvilluar 179 në Ligën e parë franceze, duke shënuar në total 7 gola. Marseja, që ka dhe sulmin më të mirë në kampionat me 33 gola, vazhdon aventurën në Kupën UEFA.
Për t’u rikthyer te renditja e kampionatit francez, Lioni udhëheq pas 18 ndeshjesh me 35 pikë, tri më shumë se “trioja”, Marsejë, Bordo e Paris Sën Zhermen nga 32 pikë. Rene ka 31 pikë, ndërsa Tuluzë 30 pikë. Marsejës i mungon titulli kampion qysh nga viti 1993 dhe Lorik Cana së fundi ka pohuar se do të largohet në rast nuk do të arrijë të fitojë diçka me skuadrën e tij.
E Hene, 15 Dhjetor 2008