E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana: Ndeshja e yjeve problem, kam kombëtaren

Në Francë është gjithnjë nga lojtarët më të vlerësuar, ndërsa në Shqipëri është kthyer në një lider në mesfushë. Lorik Cana është lojtari më i paguar i kombëtares shqiptare dhe natyrisht një prej më të mirëve të saj. Në intervistën për "Gazetën Shqiptare", mesfushori që aktivizohet me Olimpik Marsejën rrëfen për ndeshjen e yjeve që do të luajë pas 10 ditësh në krah të Zidane si edhe për takimet e radhës të përfaqësueses. "Ndeshja e yjeve është pak problem, pasi atë ditë nisim grumbullimin me kombëtaren, por do të marr leje", thotë ai. Lorik, si po shkon aktualisht karriera juaj tek Marseja?
Mirë, shumë mirë. Unë për vete jam shumë i kënaqur me gjithcka këtu. Kemi 5-6 ndeshje që nuk kemi arritur të fitojmë dhe kjo është ajo që na shqetëson për momentin. Megjithatë jemi afër vendit të tretë që të con në Champions League dhe mendoj se asgjë nuk ka mbaruar. Mbajmë veshur një fanellë të rëndë si Marseja dhe duhet ta nderojmë. Tani nuk mund të mendojmë më për vendin e parë, pasi ai është i Lionit që është edhe skuadra më e fortë. Megjithatë them se do të rikthehemi shpejt. Në shtypin francez je një ndër më të vlerësuarit, për lojën dhe për atë që jepni në fushë. Si të bën të ndjehesh kjo?
Natyrisht që është edhe një kënaqësi në planin personal. Unë stërvitem rregullisht dhe në fushë jap gjithnjë maksimumin. Nuk e di, por të gjithë janë të kënaqur me mua. Por, asnjëherë nuk duhet të jetoj me këto, më duhet gjithnjë të përmirësohem dhe të mos mendoj se kam arritur maksimumin. Më 19 mars do të luash në ndeshjen e yjeve me skuadrën e Zidane. Kush ua bëri ftesën për këtë ndeshje?
Në fakt ishte një letër që më dërguan vetë dy ambasadorët më të rëndësishëm të Kombeve të Bashkuara, Ronaldo dhe Zidane, ndërsa unë jam bërë që nga dhjetori ambasador i PNUD-it. Është hera e katërt që organizohet një ndeshje e tillë dhe ata dërguan një letër në klubin tim, ku më ftonin të merrja pjesë. Është pak problem për mua pasi atë ditë nisim grumbullimin me ekipin kombëtar... Po si do t'ia bësh?!
Natyrisht që do të marr leje tek trajneri (Baric-shënim i redaksisë). Madje më duhet edhe një leje nga Marseja, pasi të shtunën (17 mars) luajmë kundër Nisës dhe ndeshja është vetëm dy ditë më pas. Tek klubi kanë frikë edhe mos pësoj ndonjë dëmtim, pasi ndeshja në krah të Zidane dhe Ronaldos është vetëm simbolike, nuk është zyrtare domethënë. Luani në krah të një ylli të ri që po lind në Francë, Frenk Riberi. Si ndjehesh për këtë eksperiencë, sa ke mësuar prej tij?
Në fakt duhet të pyesësh Riberi sesa ka mësuar prej meje...(qesh). Shiko, ai është një futbollist i madh dhe jo më kot trajneri i Francës e mori në Botëror, ku e tregoi veten. Megjithatë është i ri këtu tek Marseja, ka vetëm dy vjet që ka ardhur dhe shpesh në stërvitje unë e mësoj sesi të sillet në disa situata, e mësoj si të veprojë dhe si të përmirësohet. Por, natyrisht që ka shumë talent dhe kjo më bën të ndjehem mirë edhe mua. Të luash me një futbollist të tillë është dhe kënaqësi. Megjithatë, në media sikur vlerësohesh ti më shumë...
...(Qesh) Ai ka pësuar shumë dëmtime këtë vit dhe ndoshta prandaj nuk ka qenë në formën e tij më të mirë. Megjithatë po rikthehet dhe kjo është shumë e rëndësishme edhe për ne. Cfarë do t'i thoni Zidane në ndeshjen e yjeve?
...(Vihet në siklet...) Më vjen zor, nuk kam cfarë t'i them një futbollisti të tillë. Ai ka qenë vërtetë një lojtar shumë i madh, unë jam takuar shpesh me të dhe nuk kemi bërë ndonjë bisedë të madhe, pasi edhe mua më vjen pak turp para tij. Nuk e di, por është vërtetë i madh... Ok, le të kalojmë pak te Kombëtarja. Tre ndeshje dhe një pikë...
Po është e vërtetë që kemi marrë vetëm një pikë, por kemi pasur edhe tre ndeshje shumë të vështira. Ne si Shqipëri nuk duhet të mendojmë që të kualifikohemi direkt për në Europian apo Botëror, por t'i ngjisim shkallët një nga një dhe jo tre njëherësh. Për momentin duhet të shohim të ngjitemi sa më shumë në renditjen e FIFA-s që edhe në shortin e ardhshëm të jemi më mirë. Për mendimin tim, synimi duhet të jetë zënia e vendit të katërt, të lëmë pas Slloveninë, Bjellorusinë dhe Luksemburgun. Nëse ia arrijmë kësaj jemi Ok. Megjithatë duhet të pranojmë një gjë: nuk jemi më një skuadër e vogël që kundërshtarët të na shohin si tre pikë të sigurta. Brigel dhe tani Baric, cili është ndryshimi sipas Lorik Canës?
Shiko, këto gjëra nuk na takojnë ne, pasi nuk i vendosim ne lojtarët, ne jemi thjeshtë ushtarë aty. Megjithatë Brigeli nuk duhet të harrojmë se ka bërë një punë shumë të mirë. Arritëm disa rezultate të mira, u ngjitëm madje edhe në renditje. Ndërsa Baric është një trajner që ka shumë eksperiencë, por shikohen rezultatet dhe atij nuk i ka ecur pasi ka marrë vetëm një pikë. Por për mendimin tim nuk duhet të gjykohet nga kjo, ai ka idetë e tij dhe normalisht që rezultatet nuk vijnë menjëherë, në të tilla raste duhet pritur pak. (FSHF)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›