E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana, Vangjeli e Hyka,në dyshim për dëmtime

Dështimi ndaj Hungarisë, përveç komplikimit të rivalitetit për vendin e katërt në Grupi 1 të eliminatoreve të Botërorit 2010, duket se do të ketë një kosto edhe më të lartë për përfaqësuesen e Shqipërisë. Kjo, për shkak të lojës së ashpër, që u zhvillua në 90 minutat e sfidës së luajtur në stadiumin e "Ferenc Pushkash". Mbrojtja tashmë duket se do të jetë një repart i emergjencës, për shkak të skualifikimeve dhe dëmtimeve. Kartoni i verdhë, i marrë nga Dallku, do t‘i kushtojë këtij të fundit pezullimin për ndeshjen ndaj luzitanëve në Braga. Por, përveç tij, në takimin e së shtunës ka pësuar një dëmtim edhe mbrojtësi i krahut të majtë, Kristi Vangjeli. Sipas burimeve pranë kombëtares, lojtari shqiptar i Arisit të Selanikut ka pësuar një dëmtim të rëndë në rrëzë të kofshës. Pas ndeshjes Vangjeli ka demonstruar vështirësi edhe në ecje. Por infermieria e kombëtares do të ketë më shumë punë. Kjo, për faktin se në të kanë përfunduar edhe mesfushorët Lorik Cana dhe Jahmir Hyka. Dëmtimin e Canës e ka komentuar si të rëndë vetë trajneri Han. Ndërsa Hyka, i cili u fut zi zëvendësues dhe la lojën i detyruar në minutën e 70, ka pësuar një dëmtim në kavilje. Megjithatë do të duhet të presim vendimin e stafit mjekësor të kuqezinjve, të cilët do të vlerësojnë gjendjen e lojtarëve para ndeshjes me Portugalinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›