E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murgesha 106-vjeçare voton Barak Obamën

Një murgeshë 106-vjeçare, që jeton në një manastir në Romë, mund të jetë edhe njeriu më i moshuar, që merr pjesë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2008. Motër Sesilia Goudet, e cila ka votuar për herë të fundit për Presidentin Ajzenhauer në vitin 1952, është regjistruar publikisht si zgjedhëse në favor të kandidatit Barak Obama. Megjithëse e rënduar nga dëgjimi, tregon se e mban veten të informuar, duke lexuar gazeta dhe duke ndjekur televizionet në manastir. "Senatori Obama më mbush me kurajë", u tha gazetarëve. "Nuk e kam parë kurrë nga afër, por duket njeri i mirë me një jetë private shembullore. Kjo është e para. Pas kësaj duhet të tregojë se është i aftë të qeveris".

E ulur në zyrën e saj modeste në manastir, ku jeton që prej 50 vjetësh, murgesha nuk ia vë shumë veshin kritikave që i bëhen Obamës nga kisha katolike për qëndrimin e tij pro abortit. Pyetjes se çfarë pret nga Obama, i përgjigjet: "Paqe në botë. Nuk shqetësohem për luftën në Irak, pasi nuk mund të bëj asgjë për të. Zoti e di si do marrë fund". Por, pavarësisht votimit më 4 nëntor, sqaron se nuk ka ndër mend të kthehet në Amerikë. "Nuk kam plane për të ardhmen. Jam shumë e moshuar për t‘u kthyer në Shtetet e Bashkuara. Jeta ka ndryshuar shumë". E megjithatë vazhdon t‘i ndjekë "ngjarjet shumë të rëndësishme" në televizor. Zgjedhjet përfshihen në këtë kategori.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›