Milan, kampion edhe në shpenzime

Pushimi dimëror prej rreth dy javësh, për shkak të festave të fundvitit, ua mundëson gazetarëve që të merren me detaje të klubeve. Nëse e shikojmë renditjen e ekipeve që i paguajnë më së miri lojtarët në kampionatin italian të futbollit, Serie A, atëherë menjëherë na shkon tek familja Berlusconi, e cila e ka në pronësi klubin e Milanit.
Sipas një statistike të uebfaqes calciomercato.com, ish kryeministri italian, Silvio Berlusconi shpenzon 160 milionë euro në vit, për t’i paguar lojtarët e Rossonerë. Sa i përket pagesës, hiç më pak kursimtar nuk është treguar as presidenti i Interit, Massimo Moratti.
Në bazë të statistikave del se pozita e dytë i takon Nerazzurrëve, të cilët harxhojnë 145 milionë euro, për t’i mbuluar shpenzimet e lojtarëve për një sezon. Ndërkaq, pozita e tretë i takon Juventusit, i cili është treguar paksa më ekonomik. ‘Zonja e Vjetër’, e cila pati prioritet stadiumin e ri, të cilin e vuri në funksion në fillim të këtij sezoni, ndalet në 100 milionë euro.
Në pesëshen e parë bëjnë pjesë edhe dy skuadra nga kryeqyteti italian, Roma dhe Lazio. E para, e cila ra në duar të biznesmenëve italo-amerikanë, shpenzon 76 milionë euro për t’i paguar lojtarët. Kurse e dyta, ku luan futbollisti kosovar Lorik Cana, e ku drejtor sportiv është Igli Tare, harxhon për një vit 50 milionë euro, për rrogat e lojtarëve.
Në dhjetëshen e ekipeve që shpenzojnë më së shumti para për rrogat e lojtarëve gjenden edhe Napoli i Blerim Xhemajlit dhe Fiorentina e Valon Behramit. Kurse, në katër pozitat e fundit gjenden Chievo e Përparim Hetemajt, Cesena e Erjon Bogdanit dhe Novara e Samir Ujkanit.
Lista e parave që i shpenzojnë ekipet për lojtarët e tyre1. Milan 160 milionë euro
2. Inter 145
3. Juventus 100
4. Roma 76
5. Lazio 50.2
6. Napoli 41.2
7. Fiorentina 37
8. Genoa 36
9. Palermo 26
10. Bologna 23.7
11. Parma 23
11. Siena 23
13. Atalanta 21.8
14. Udinese 21.7
15. Cagliari 20
16. Catania 18.6
17. Chievo 14.2
18. Cesena 14
19. Lecce 13.8
20. Novara 9.8